Paniku i peshkut të prishur
Edi Lesi
Opozita kërkoi gosti peshku për të gjithë. Me të mbërritur prodhimi i detit në port, si atëherë kur pritej të bëhej gati dreka e shumëpritur, opozita tha se ushqimi nuk është i freskët Mandej tha se është shumë i kripur. Përveçse i prishur, edhe i shtrenjtë. Megjithëse hodhi dyshime për mënyrën se si është zënë, për cilësinë dhe për të drejtat e konsumatorit, në fund, opozita tha se peshku duhet të jepet falas për gjindjen e varfër. Në ndërkohë, vetë udhëheqësit e opozitës nuk e provuan fare këtë vakt se çfarë shijeje kishte. E gjithë kjo bëri që një pjesë e qytetarëve të stepeshin. Paniku i peshkut të qelbur dha efektet e veta.
Kështu po ndodh me kartat e identitetit.
Në krye u tha se nuk ka zgjedhje pa karta. Më tej, kur pajisja me këtë dokument mori udhë, u kontestua mënyra e tenderimit. Jo shumë kohë pas kësaj, u vu në dyshim kapaciteti i kompanisë prodhuese dhe procesi i përftimit të letërnjoftimeve.
Pastaj u tha se ky shërbim ishte shumë i shtrenjtë. Më vonë, se duhej të pajiseshin një pjesë e qytetarëve, pra ata që nuk kanë pasaportë. Në vetvete një diskriminim ky për ata që kanë pasaportë, të cilët nuk dihet për ç’arsye dhe ç’faj paskan bërë, që u dashkan privuar nga kjo e drejtë.
Dhe në fund, që dokumenti të jepet falas për të pamundurit financiarisht. E gjithë kjo zhurmë u bë në valën e dyndjes së madhe të njerëzve pranë zyrave të postës dhe gjendjes civile. Efekti nuk mund të mohohet. Qytetarët, veçanërisht ata që besojnë tek opozita, kuptuan se kartat e identitetit nuk qenkan kaq shumë të rëndësishme sa pretendon qeveria. Sepse liderët e majtë asnjë herë nuk bënë thirrje që ata të aplikonin dhe sa më shpejt. Një kthesë e pakëndshme kjo në këtë proces.
Duhet thënë se këtu bëjnë përjashtim disa segmente të opozitës. Veliaj i G99, ishte i vetmi që u kërkoi të rinjve të paraqiteshin në sportele. Po ashtu, Nano dhe Meta kanë firmosur tashmë për të marrë dokumentin.
Rezultati është se, sipas ministrit të Brendshëm, vetëm 10% e numrit të votuesve janë pajisur tashmë me karta identiteti. Duke llogaritur numrin e qytetarëve që aplikojnë çdo ditë, zor se në fund të gjithë ata që kanë të drejtën të shkojnë në kutitë e votimit më 28 qershor, do të mund të kenë këtë mundësinë ligjore për të vendosur për partinë që dëshirojnë t’i qeverisë.
Në fakt, sikur edhe vetëm një qytetar që ka të drejtën e votës të mos mundë ta shprehë atë për shkak të pengesave që nuk kanë lidhje me vullnetin e tij, kjo do të ishte një katastrofë politike.
Qeveria ka këtu përgjegjësinë e saj. Procesi mund të ishte më pak i lodhshëm dhe mund të kishte më shumë lehtësi për aplikantët.
Mirëpo, një përgjegjësi e madhe i shkon opozitës, e cila i druhet gjithnjë ndonjë manipulimi dhe pikërisht për këtë arsye, duhej të ishte më shumë e interesuar për pajisjen e votuesve me karta identiteti.
Kontestimi i saj i vazhdueshëm e ktheu këtë moment të rëndësishëm në një ngjarje të zakontë. Paniku që ajo përhapi për parregullsi, shkelje dhe marifete politike, shkurajoi dukshëm një pjesë të mirë të qytetarëve. Nga ky zhvillim nuk mund të mos ngresh një pyetje. A është i interesuar kampi i majtë që procesi i pajisjes së njerëzve me letërnjoftime elektronike të dështojë?
Eshtë fakt se nëse ia del, kjo qeveri do të jetë e para në historinë shtetërore të Shqipërisë që siguron një infrastrukturë zgjedhore kaq moderne dhe në këto standarde. Dhe këto janë kredite, për të cilat natyrshëm një opozitë mund të ndihet xheloze.
Nga ana tjetër, i gjithë zhvillimi parazgjedhor, kryesisht kodi i ri, procesi i kartave, rritja e cilësisë së vëzhgimit etj., i japin shumë pak terren një partie që në kapërcyell të qershorit të këtij viti, të kontestojë rezultatin e verdiktit të qytetarëve. Një reagim i tillë do të ishte legjitim veçse duke u ngjizur që herët, pra disa muaj para datës së dekretuar nga Presidenti.
Mirëpo, tek e fundit, paniku i peshkut të prishur, nëpërkëmb interesa më të mëdha se ato të dikujt, dhe i kalon sinoret e partive. Dëmi i mundshëm i shkaktohet gjithë vendit dhe rrugës së tij drejt Bashkimit Europian.