Grabitja e bankës, 18 vjet burg Musli Mehmetajt
Përfundon pas 4 vitesh procesi gjyqësor kundër kosovarit që ideoi grabitjen e Bankës Amerikane. Vendimi në mungesë, pasi Mehmetaj ndodhet në Zvicër
Tiranë Pas më shumë se katër vitesh, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur dje fajtor duke dënuar me 18 vjet heqje lirie kosovarin Musli Mehmetaj, i akuzuar për vjedhjen spektakolare të një banke në kryeqytet. Procesi gjyqësor i zhvilluar në mungesë të të akuzuarit, i cili ndodhet në Zvicër, ku akuzohet për dy raste të tjera grabitjesh, ka përfunduar dje, pas një procesi maratonë. Trupi gjykues ka shpallur fajtor Mehmetajn për akuzën e “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, duke e dënuar përfundimisht me 18 vjet heqje lirie. Procesi gjyqësor në ngarkim të tij është zhvilluar në mungesë, pasi në vitin 2008 Mehmetaj është arrestuar në Slloveni dhe më pas është ekstraduar drejt Zvicrës, e cila kërkonte 37-vjeçarin për dy grabitje që dyshohet se janë kryer nga ai. Akuza është për vjedhjen e dy bankave mjaft të njohura në Zvicër, madje njëra prej tyre e njohur edhe në Shqipëri. Sipas prokurorisë, grabitja për të cilën akuzohet Mehmetaj ka ndodhur afër qendrës së kryeqytetit. Rreth orës 11:20 të 6 gushtit 2005 është sulmuar filiali Bankës Amerikane nga katër persona të armatosur. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Stacionit të Trenit, ndërsa nga arka u zhdukën një sasi e konsiderueshme të hollash. Sipas hetimit, grabitësit kanë qenë katër vetë të armatosur, të cilët fillimisht kanë goditur rojen që shërbente në fundjavë dhe më pas kanë vjedhur shumën e parave që ka qenë në dispozicion të klientëve. Për këtë ngjarje policia arrestoi edhe një tjetër person, ndërsa Musli Mehmeti u arrestua në Slloveni për llogari të autoriteteve zvicerane. Procesi gjyqësor në ngarkim të tij nisi në vitin 2007, por pas arrestimit të Mehmetit në Slloveni, gjyqi është ngadalësuar, madje është zvarritur në pjesën më të madhe. Shkak është bërë dërgimi i letërporosisë që autoritetet shqiptare u nisën atyre zvicerane, ku njoftonin se Musli Mehmeti ishte në proces gjyqësor në Shqipëri dhe për këtë fakt ai duhet të njoftohej. L.Bakillari