E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji antiduhan, Shuperka padit për kërcënim ish-truprojën e PD-së

SHKRUAN: Habjon Hasani 03-11-2011 11:45

Incident gjatë kontrollit për zbatimin e ligjit antiduhan në një lokal pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Denoncimi i Shuperkës: Myftar Lumneshi më kërcënoi dhe theu telefonin. I padituri: U ankova për gjobën e lartë

Tiranë Kryeinspektori kundër pirjes së duhanit në mjediset publike, Roland Shuperka, ka denoncuar mbrëmjen e së martës në komisariatin e policisë nr.1 Myftar Lumneshin, duke pretenduar se ky i fundit e ka fyer dhe kanosur gjatë detyrës. Incidenti ka ndodhur në një lokal pranë stadiumit “Qemal Stafa”, ku kryeinspektori kishte vajtur për të vëzhguar nëse zbatohej apo jo ligji antiduhan. Burime nga komisariati nr.1 në Tiranë thanë për MAPO-n se Shuperka në denoncimin e bërë në polici ka treguar se pasditen e së martës, rreth orës 18:00, së bashku me dy inspektorë të shëndetit publik ka shkuar për të inspektuar disa lokale pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Pasi kanë hyrë në lokal, ata kanë konstatuar se ka pasur disa klientë që po pinin duhan. Fill pas këtij konstatimi, Shuperka ka urdhëruar gjobitjen e lokalit dhe në këtë moment është njoftuar Myftar Lumneshi, i zoti i lokalit dhe personazh i njohur sidomos në ngjarjen e 14 shtatorit 1998, kohë kur ka qenë edhe badigard i drejtuesve të PD-së. Ky i fundit ka mbërritur në lokal dhe i ka kërkuar shpjegime kryeinspektorit për ligjin e duhanit. Sipas kallëzimit të bërë nga Shuperka, Lumneshi i ka bërë atij presion që të anulonte gjobën dhe pasi kryeinspektori ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë, Lumneshi e ka fyer dhe kërcënuar, ndërsa në një moment tensioni Shuperka është shprehur se Lumneshi e ka shtyrë dhe i ka thyer dhe telefonin. Pasi kanë marrë këtë denoncim, mbrëmjen e së martës hetuesit e komisariatit nr.1 në Tiranë kanë thirrur të mërkurën paradite për t’u paraqitur ish-truprojën Myftar Lumneshi. Ky i fundit është shprehur se në asnjë mënyrë nuk ka ushtruar dhunë ndaj Shuperkës dhe se debatet kanë nisur për shkak se sipas Lumneshit, gjoba e vënë nga Shuperka ishte shumë e lartë. Lumneshi ka deklaruar dje në polici se nuk ishte ai autori i thyerjes së telefonit të Shuperkës, duke shtuar në deklarimin e tij se kryeinspektori është treguar shumë tendencioz në sjellje, duke mos pranuar ankesat e tij dhe duke faturuar një gjobë të majme për biznesin e Lumneshit. Pasi ka marrë denoncimin e Shuperkës dhe sqarimin e Lumneshit hetuesit e komisariatit nr.1 në Tiranë kanë vendosur të ndjekin këtë çështje dhe të zbardhin episodin duke ftuar për dëshmi dhe dëshmitarë të momentit të sherrit mes Shuperkës dhe Lumneshit. Roland Shuperka është kryeinspektori përgjegjës për ligjin “Antiduhan”, i miratuar kohë më parë, por që nuk gjeti zbatim korrekt në vendin tonë. Shuperka njihet si një ndër iniciatorët e këtij ligji dhe një ndër inspektorët më të ashpër të zbatimit të tij. Inspektoriati i Shëndetit Publik ka nisur në dy javët e fundit një tjetër fushatë kontrollesh në lokale dhe mjedise të tjera publike për të disiplinuar respektimin e ligjit që ndalon pirjen e duhanit në mjedise publike. Ky ligj u quajt si i dështuar në Shqipëri, pasi përveç një periudhe 3-mujore pas miratimit të tij, në të gjitha baret dhe restorantet shqiptare pirja e duhanit vijoi njësoj sikur kryhej para hyrjes në fuqi të ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›