Grabitja e bankës, 30 mijë euro shpërblim për identifikuesin e tyre
Grabitja e ndodhur ditën e hënë në një filial banke në Vlorë mbetet ende pa autor, ndërkohë që policia ka afruar shumën prej 30 mijë eurosh për personin që do të ndihmojë në identifikimin e tyre. Dyshohet se shuma e marrë nga tre grabitësit është e madhe, por ende nuk është dhënë një shifër zyrtare nga policia. Kjo, pasi edhe shpërblimi i vënë në dispozicion nga policia për identifikimin e tyre është mjaft i lartë. Sipas burimeve nga policia, duket se gjithçka ka qenë e menduar mirë nga grabitësit, të cilët e kanë bërë goditjen pas mesditës në filialin e bankës "Intesa San Paolo". Ata kanë vepruar me shpejtësi dhe pasi kanë marrë shumën e parave, e cila dyshohet të jetë e madhe, janë larguar me një automjet. Policia ka gjetur një automjet tip “Mercedes-Benz” në ngjyrë gri, të braktisur në lagjen “10 korriku” të qytetit bregdetar me targa të Tiranës. Grabitësit i kishin vënë flakën tapicerisë së automjetit, në mënyrë që të zhduknin çdo lloj gjurme, që do të ndihmonte hetuesit në identifikimin e tyre.
Ngjarja
Grabitja e filialit të bankës “Intesa San Paolo” ndodhi pas mesditës së të hënës. Rreth orës 13:15 janë parë të futen në ambientet e saj tre persona të maskuar. Ata kanë shkuar tek roja private dhe kanë nisur ta qëllojnë atë. Roja private është gjendur nën goditjen e grushteve, duke e pasur të pamundur të reagojë. Ndërkohë që grabitësit kanë qenë të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, me të cilët kanë kërcënuar punonjësit dhe klientët që ndodheshin në sallë. Ata i kanë dhënë një çantë arkëtares dhe i kanë kërkuar që ajo të hidhte brenda të gjitha lekët që kishte. Më pas, pasi çanta është mbushur, kanë dalë jashtë me shpejtësi. Kanë arritur të largohen me një makinë nga vendi i ngjarjes. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka ngritur një grup pune për këtë rast. U shoqëruan në komisariat punonjësit dhe klientët që ndodheshin në bankë gjatë grabitjes, ndërkohë që po hetohet për identifikimin e autorëve.