Olli Rehn: Shqipëria, zgjedhje të lira, ne i premtojmë BE-në
Brukseli përmes Komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, vlerëson standardet e arritura të Shqipërisë përgjatë një viti, ndërkohë që reformat e kryera nga qeveria “Berisha” i cilëson si mjaft të mira. Nisur nga ky fakt, duke i shtuar edhe zgjedhjet e lira dhe demokratike të 28 qershorit, BE i premton Shqipërisë anëtarësimin në familjen evropiane. Në ditën e publikimit të raport-progresit për Shqipërinë, Rehn njoftoi se Komisioni Evropian miratoi strategjinë e tij të përvitshme për zgjerimin e BE-së. “Strategjia e zgjerimit që po paraqesim sot, është provë e zotimit tonë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Në këto kohë të vështira krize ekonomike, aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim nxjerrin në pah fuqinë e vazhdueshme tërheqëse të Bashkimit Evropian dhe rolin tonë në nxitjen e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Aplikimi i Islandës i shton një dimension të ri kalendarit tonë të zgjerimit”, - deklaroi Rehn. Në këtë konferencë për shtyp, Komisoneri Rehn vuri në dukje se udhëtimi pa viza prej fillimit të vitit 2010 për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e këtyre vendeve. Sipas tij, në mes të vitit 2010, Komisioni do të paraqesë propozime edhe për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, nëse këto vende i përmbushin kushtet e caktuara. Në strategjinë e zgjerimit thuhet se BE vë në dukje progresin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia drejt integrimit evropian gjatë këtij viti të vështirë krize botërore ekonomike dhe parashtron sfidat kryesore me të cilat do të përballen këto vende gjatë muajve dhe viteve të ardhshëm. Në dritën e progresit të bërë, Komisioni Evropian vendosi të rekomandonte hapjen e negociatave me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor do të përparojë në masë të konsiderueshme në vitin 2010, duke shënuar kështu një hap shumë të madh përpara për rajonin. “Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në prill të këtij viti. Komisioni Evropian është gati të përgatisë opinionin e vet, porsa Këshilli t’ia kërkojë këtë gjë. Zgjedhjet parlamentare përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit siç duhet i institucioneve shtetërore mbeten sfida të mëdha”, - thuhet në këtë strategji për Shqipërinë.
Olli Rehn tha më tej se viti 2009 shënon 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe 5-vjetorin e zgjerimit të BE-së në Evropën Qendrore dhe Lindore. Mundësia e anëtarësimit në BE vazhdon të shërbejë si shtysë e rëndësishme për reforma politike dhe ekonomike dhe vijon të konsolidojë paqen e stabilitetin në rajon. Është në interesin strategjik të BE-së që të mbahet ky ritëm, në bazë parimesh dhe kushtesh të përbashkëta. Procesi i zgjerimit të BE-së po vijon në kushtet e një recesioni të thellë dhe të përhapur, i cili ka prekur si vendet e BE-së, ashtu dhe ato që janë pjesë e procesit të zgjerimit. “Strategjia e zgjerimit që po paraqesim sot, është provë e zotimit tonë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Në këto kohë të vështira krize ekonomike, aplikimet e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim nxjerrin në pah fuqinë e vazhdueshme tërheqëse të Bashkimit Evropian dhe rolin tonë në nxitjen e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Aplikimi i Islandës i shton një dimension të ri kalendarit tonë të zgjerimit”, - deklaroi Rehn për procesin e zgjerimit.
Raporti, Berisha, Lohan: Program pune për qeverinë
I bindur se Shqipëria më 28 qershor kaloi një provë mjaft të rëndësishme, atë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, Kryeministri Sali Berisha siguroi dje KE-në se qeveria do ta shndërrojë progres-raportin në një program pune. Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmuth Lohan, i dorëzoi Kryeministrit Sali Berisha mesditën e djeshme progres-raportin 2009 për Shqipërinë. Z. Berisha vuri në dukje se Komisioni Evropian mbart frymën e euroseriozitetit dhe europozitivizmit dhe është shumë inkurajues për Shqipërinë në rrugën e integrimit. "Kaluam një provë shumë të rëndësishme, para qytetarëve shqiptarë në radhë të parë, por edhe para partnerëve, miqve tanë, edhe para Komisionit Parlamentar siç ka qenë prova e zgjedhjeve. Raporti do të jetë plan pune për ministritë", - u shpreh Berisha. “Në këtë kontekst, - shtoi ai, - raporti ka vlerësimin e tij më objektiv të bazuar në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet dhe unë e garantova ambasadorin se qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrën më serioze për adresimin e të gjitha problemeve të ngritura nga institucionet ndërkombëtare për t’u përmirësuar më tej për procesi zgjedhor”. “Zgjedhjet kanë qenë një moment fondamental, por dhe një qëllim madhor i përpjekjeve të mia dhe të qeverisë. Dhe, natyrisht, largimi nga situatat e mëparshme është një dëshmi e funksionimit të demokracisë në këtë vend. Kur bëj fjalë për funksionimin e demokracisë, jam absolutisht i vetëdijshëm se kjo demokraci ka nevoja të mëdha për përmirësime, për përsosje dhe konsolidim të mëtejshëm”, - deklaroi z. Berisha. Ai siguroi se të gjitha kritikat objektive që adresohen në raport ndaj qeverisë dhe institucioneve të vendit tonë do të marrin trajtimin më serioz gjatë vitit në vazhdim. “Në trajtimin e tyre, - tha Berisha, - ne do të kemi ndihmën e plotë të delegacionit dhe të Komisionit Evropian, ndihmë për të cilën kemi nevojë”. Nga ana e tij, Lohan vlerësoi rëndësinë që qeveria shqiptare i jep raportit, ndërsa theksoi se në të janë paraqitur mesazhet kryesore për kriteret politike, ekonomike, si dhe për kriteret e Bashkimit Evropian. “Kam pasur mundësinë që t’ju theksoj juve mesazhet kryesore në raport për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për kriteret politike, për kriteret ekonomike dhe për kriteret e Bashkimit Evropian, të cilat vlerësohen në raport. Po ashtu, e kuptoj dhe e vlerësoj rëndësinë që i jepni ju progres-raportit dhe që do të vazhdoni t’i kushtoni atij gjatë muajve të ardhshëm dhe vitit në vijim. Dua të ndaj me audiencën një prej pikave kryesore të raportit, se marrëdhëniet Shqipëri-BE janë inkurajuese”, - theksoi z. Lohan.