E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e bankës në Vlorë, arrestohet 22-vjeçari

VLORE-Katër ditë pas grabitjes së filialit të një banke në qendër të qytetit, policia e Vlorës ka arrestuar një 22-vjeçar, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Ndonëse, zyrtarisht deklarohet se Elins Malaj akuzohet për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike", burime të besueshme pohojnë se i riu dyshohet të jetë bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë që u shënua rreth orës 11:40 të së hënës. Pas shoqërimit në komisariat për 3 ditë me radhë, për pronarin e automjetit tip "Mercedes Coupe" ngjyrë vishnje, me të cilin u krye grabitja, prokuroria e Vlorës ka lëshuar fletë-arrestin për Malajn. Mësohet se 22-vjeçarit, në momentin që u ndalua i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 2.6 gramësh lëndë narkotike e llojit kanabis-sativa. Kaq ka mjaftuar që Elins Malajt, i cili ishte ndër të dyshuarit e parë për grabitjen e bankës, t'i vihen prangat. Dy ditë më parë, policia e Vlorës bëri me dije se janë shoqëruar 21 persona, shumica e të cilëve janë me precedentë penalë dhe kryesisht për vjedhje e grabitje të kryera në kohë të ndryshme.

Burimet e mësipërme sqarojnë se Malaj dyshohet si autorë i disa vjedhjeve. Përdorimi i makinës së tij për grabitje mesditën e së hënës ka shtuar akoma më shumë dyshimet tek policia se 22-vjeçari mund të jetë përfshirë në këtë ngjarje, ku mbeti i plagosur dhe efektivi i policisë private, Vasil Halilaj. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, Elins Malaj është shprehur se makinën ia kanë vjedhur dy ditë para se të grabitej banka që ndodhet tek "Sheshi i Flamurit". Pavarësisht deklaratës së të riut, policia dyshon se ai dhe dy shokë të tij që janë shpallur në kërkim janë bashkëpunëtorë me grabitësit e bankës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›