E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e bankës, policia kap të dyshuarin

 

TIRANE - Tre persona përfunduan dje në pranga nga oficerët e Seksionit të Vjedhjeve Kundër Biznesit, pasi rezultojnë të implikuar të paktën në katër grabitje dyqanesh në Tiranë. Një operacion i koduar “Kriko” ka vënë në pranga një 14-vjeçar me inicialet J.A., 18-vjeçarin Dianos Marku dhe Agron Zylfon, 33 vjeç. Ky operacion vjen menjëherë pas një tjetër aksioni të koduar “Sharra”, si rezultat i të cilit u arrestuan 4 persona të implikuar në 11 vjedhje në kryeqytet. Tre të arrestuarit janë kapur dje në flagrancë duke vjedhur një dyqan të firmës “Shpiragu”, në bulevardin “Zhan D’Ark”, nga ku kishin arritur të merrnin 48 mijë lekë të reja, por të cilave nuk iu gëzuan dot, pasi përfunduan në pranga. Ndërkohë menjëherë pas arrestimit oficerët e policisë kanë dokumentuar edhe 3 vjedhje të tjera të realizuara nga këta persona. Burime nga policia thanë se këta persona më 4 mars të këtij viti kanë vjedhur magazinën “Lindi” në rrugën “Xhorxh Bush” në Tiranë, gjithashtu më 11 mars kanë vjedhur një dyqan ushqimor në rrugën e Elbasanit, si dhe para një jave kanë realizuar vjedhjen e dyqanit “Foto Reli”, në rrugën “Luigj Gurakuqi” në kryeqytet. Sipas policisë, Dianos Marku, banues në Bathore, ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje, po kështu edhe Agron Zylfo, nga fshati Ibë i kryeqytetit ka qenë i dënuar edhe dy herë të tjera për të njëjtën akuzë. Ndërsa për 14-vjeçarin, i cili banon në Lezhë, policia tha se rezulton i implikuar edhe në disa vjedhje të tjera që janë realizuar në periudha të ndryshme kohore në kryeqytet dhe në qytetin ku ai banon. Ndërkohë ka dyshime që i mituri mund të jetë i implikuar edhe në grabitjen e filialit të “Raiffeisen Bank”, tek restorant “Durrësi” në kryeqytet, ku disa ditë më parë u grabitën me armë dhe maska rreth 9 milionë lekë të vjetra. Sipas burimeve nga policia, 14-vjeçari mund të jetë bashkëpunëtorë në këtë grabitje, duke i ndihmuar personat e tjerë për të realizuar grabitje. Ndërkohë kanë nisur verifikimet edhe të disa vjedhjeve të tjera që janë realizuar gjatë muajve të fundit në Tiranë, për të parë nëse kanë marrë pjesë personat e arrestuar dje nga operacioni “Kriko”, i Seksionit të Vjedhjeve Kundër Biznesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›