Vendimi, kështu tatimet do të përgjojnë bizneset
Fabiola Çela
Tatimet do të përgjojnë të gjithë ato biznese të cilat dyshohen për evazion fiskal, mashtrim apo veprimtari kriminale.
Në mbledhjen e djeshme, qeveria ka miratuar vendimin i cili i jep të drejtë drejtorisë së hetimit tatimor që të paguajë edhe informatorë për marrjen e informacionit, si dhe të marrë në pyetje biznesmenët njëlloj si prokuroria. Të gjitha këto do të bëhen me vendim të Drejtorit të Tatimeve.
Vendimi
Informatorët që do të japin informacion për një biznes të dyshuar do të paguhen nga tatimet. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria “Drejtoria e hetimit tatimor ka të drejtë marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. Bashkëpunimi i fshehtë me individë, shtetas shqiptarë apo të huaj, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur, kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit”. Hetimi tatimor mund të përdorë edhe përgjues ndaj biznesit vetëm e vetëm për të gjetur provat e duhura për biznesin, që dyshohet për evazion fiskal apo veprimtari kriminale. “Punonjësit e njësive të hetimit tatimor për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, fiksimin dhe dokumentimin e provave, përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme. Llojet e mjeteve dhe rregullat e përdorimit të tyre përcaktohen nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve” thuhet në vendim. Madje tatimorët kanë të drejtë të marrin në pyetje bizneset njëlloj si policia e shtetit apo prokuroria. “Punonjës të autorizuar të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë të drejtë të thërrasin për të pyetur përfaqësues të subjektit tatimpagues, dëshmitarë ose shtetas të tjerë, që kanë dijeni për vepra penale në fushën e tatimeve dhe të taksave”, thuhet në vendim. Këta punonjës mund të këqyrin objektet ku ndodhen dokumentet dhe mallrat, që shërbejnë si burim prove për hetim, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.
Drejtoria e Hetimit Tatimor ka detyrë të:
a. parandalojë, zbulojë, dokumentojë e ndërpresë veprimtarinë kriminale në fushën e tatimeve dhe të taksave.
b. bëjë rekomandim për Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, për marrjen e masave në mbrojtje të sistemit tatimor nga mashtrimet, evazioni fiskal dhe veprimtaria kriminale;
c. mbledhë, përpunojë, ruajë, analizojë, shfrytëzojë dhe shpërndajë informacionin për shkeljet e dyshuara, të mundshme ose faktike, në fushën e tatimeve dhe të taksave nga subjektet tatimpaguese. Mbledhja, dokumentimi, ruajtja e shfrytëzimi i informacionit bëhen në përputhje me rregullat e miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, duke zbatuar rregullat e ruajtjes së sekretit;
ç) marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. Bashkëpunimi i fshehtë me individë, shtetas shqiptarë apo të huaj, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur, kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit;
3. Punonjës të autorizuar të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë të drejtë të thërrasin për të pyetur përfaqësues të subjektit tatimpagues, dëshmitarë ose shtetas të tjerë, që kanë dijeni për vepra penale në fushën e tatimeve dhe të taksave. Këta punonjës mund të këqyrin objektet ku ndodhen dokumentet dhe mallrat, që shërbejnë si burim prove për hetim, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale dhe duke hartuar dokumentet e duhura, që parashikon ky Kod.
4. Punonjësit e njësive të hetimit tatimor për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, fiksimin dhe dokumentimin e provave, përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme. Llojet e mjeteve dhe rregullat e përdorimit të tyre përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
5. Drejtuesit e strukturave të tjera, brenda sektorit tatimor, bashkëveprojnë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, duke dërguar atje materiale dhe informacione për subjekte të veçanta tatimpaguese, për të cilat dyshohet se mund të kryejnë ose kanë kryer evazion fiskal ose mashtrim tatimor.
6. Fondi për shpërblimin e burimeve njerëzore me të cilët ka marrëveshje për bashkëpunim të fshehtë, caktohet zë më vete në buxhetin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Rregullat dhe masat e shpërblimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.