Tiranë, 42-vjeçari Boba tenton vetëvrasjen në gjendje të dehur
TIRANE - Një 42-vjeçar në gjendje të dehur tentoi të vriste veten me thikë në mes të ditës në rrugë, duke tronditur kalimtarët, të cilët u përballën me skenën e ngjarjes. Haki Boba i ka ngulur vetes thikën në bark, duke dashur të vrasë veten dhe ka përfunduar në spital i plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi dje në rrugën “Ferit Xhajko”, pranë restorant “Durrësit” në Tiranë. Dhjetëra kalimtarë kanë parë skenën, teksa 42-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një thikë dhe brenda pak sekondash e ka kthyer nga vetja duke e ngulur në bark. Dy persona që ndodheshin më pranë tij në këto momente janë munduar t’i japin ndihmën e parë dhe menjëherë kanë lajmëruar një ambulancë dhe policinë e Komisariatit nr.4. Haki Boba është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët thanë se Boba ka humbur shumë gjak si pasojë e plagës së shkaktuar nga thika e ngulur në bark. Ndërkohë policia ka shoqëruar disa dëshmitarë, të cilët kanë parë skenën, për t’i pyetur rreth ngjarjes. Sipas dëshmitarëve askush nuk e ka goditur 42-vjeçarin, por ai ka nxjerrë vetë një thikë dhe është vetëqëlluar në pjesën e barkut. Ndërkohë sipas hetimeve rezulton se në ato momente Boba ka qenë në gjendje të dehur dhe sapo kishte dalë nga një lokal, ku kishte filluar duke pirë që në orët e para të mëngjesit dhe deri në drekë kur ka dalë dhe ka tentuar vetëflijimin. Dyshimet e para të policisë flasin për një tentativë vrasje nga kushtet e rënduara ekonomike, pasi ai bashkë me gruan jetonin në një shtëpi me qira dhe kishin shumë borxhe. Mësohet se Boba aktualisht ishte i papunë dhe nuk kishte mundësi për të shlyer borxhet. Ndërkohë policia po heton edhe shkaqe të tjera që mund ta kenë detyruar Haki Bobën që të tentojë vetëvrasjen. Gjithashtu është shoqëruar për të dhënë shpjegime në polici edhe bashkëshortja e të plagosurit, e cila ka treguar edhe gjendjen e rëndë ekonomike që po kalonte bashkë me burrin. e.d