E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika si lakmus i qytetarisë shkodrane

Gilman Bakalli 

Sa herë diskutohet publikisht (sidomos në prag fushatash) përfaqësimi politik i Shkodrës në nivel lokal apo qendror, mbisundojnë tonet  pesimiste, sipas të cilave, kjo politikë nuk pranon elementin qytetar dhe, si e tillë, lë fort për të dëshiruar. Thuajse të gjitha opinionet në lidhje me këtë pikë bien dakord mbi faktin, se Shkodra ka nevojë për një përfaqësim tjetër dhe se ky përfaqësim tjetër do të realizohej shumë mirë, nëse do të përfshiheshin më tepër qytetarë shkodranë, bij e bija familjesh të mëdha shkodrane. Nuk janë të paktë ato që e shohin shkatërrimin e elementit qytetar si shkakun e përfaqësimit të dobët politik, por askush nuk ndalet të reflektojë pak mbi shkakun e këtij shkatërrimi të asaj që perceptohet vagullt si qytetari shkodrane. Mos vallë ajo që konsiderohet shkak për përfaqësimin e dobët politik të Shkodrës, është më shumë pasojë e një politike të ashpër e klanore të zhvilluar sistematikisht nga vetë qytetarët shkodranë që kanë patur vendimmarrjen politike dhe ekzekutive këta 19 vitet e fundit? E thënë ndryshe: mos ndoshta ka qenë vetë politika ajo që ka testuar e para qytetarinë thuajse proverbiale shkodrane, duke e nxjerrë atë si shumë të brishtë, të paqëndrueshme e gati-gati si një mit efemer? Mos ndoshta ka qenë politika e para, ajo që ia ka tundur themelet qytetarisë shkodrane si një kod i lashtë zakonor i pashkruar që bazohej mbi mirësinë, dhembshurinë, bashkëjetesën paqësore me “tjetrin”, ruajtjen e fytyrës së “tjetrit”, një kod i bazuar më shumë mbi mirëbesimin se sa mbi kontratën a ligjin, një kod shpirtëror apo frymor ku, më tepër se ligji, rëndësi dhe peshë kishte njeriu, farefisi, klani, një kod, të cilin, në fund të fundit, nuk mund ta përkufizosh në mënyrë shteruese? Mos ndoshta na rezulton që politika të ketë qenë terreni ku janë shkërmoqur zhurmshëm të gjitha cilësitë e mira të këtij kodi, duke e paraqitur këtë si një konstrukt social, tek i cili gjejmë strehë dhe prehje sa herë kemi kriza politike apo të identitetit?

A mund të ankohemi që qytetaria shkodrane nuk ka patur këto 19 vitet e fundit mundësi përfaqësimi në politikën lokale apo qendrore? Në asnjë mënyrë! Që nga kryetari i parë i bashkisë së Shkodrës i dalë nga zgjedhjet lokale të fillimviteve ‘90 e deri tek i ai i fundit, që nga deputetët e parë shkodranë të dalë nga zgjedhjet e para parlamentare të viteve ‘90 e deri tek ato të fundit, deputetët shkodranë, me ndonjë përjashtim të rrallë, janë konsideruar konsensualisht si përfaqësues të denjë të imazhit që përfton fjala “qytetari shkodrane”. A nuk është thënë e theksuar për çdo kandidat për kryetar bashkie apo për deputet në Shkodër se vjen nga një familje e vjetër qytetare shkodrane, duke nënkuptuar me këtë të gjitha atributet pozitive që mbart koncepti “familje e vjetër qytetare”? Mendoj se nxjerrja në pah e kësaj përkatësie ka shërbyer thjesht si pilulë qetësuese për popullin e Shkodrës, thjesht për të parandaluar ndonjë abstenim masiv të mundshëm për shkak të mospërfaqësimit “të duhur”. Ajo që ka ndodhur pas ditës së zgjedhjeve, kur populli shkodran ka votuar për përfaqësuesit e familjeve të vjetra qytetare, ka treguar se imazhi efemer i qytetarisë shkodrane nuk ka mundur t’i bëjë dot ballë realitetit kokëfortë e të pamëshirshëm të real-politikës.

Thuajse në të gjitha rastet, banorët e Shkodrës, shumë shpejt janë zhgënjyer nga produkti i të zgjedhurve si përfaqësues të “qytetarisë shkodrane”. Pasi kanë parë se përfaqësuesit e “dyerve të vjetra shkodrane” shumë shpejt janë kthyer në përfaqësues të Njëshit apo të një klani, ato e kanë kuptuar se kriteri i zgjedhjes paska qenë i pamjaftueshëm dhe i dobët për t’u përballur me realitetin e ashpër të politikës klanore në Shkodër. Ky klan i ndërtuar kryesisht nga përfaqësues familjesh të vjetra shkodrane, porse mbi bazën e parimeve të nepotizmit e të militantizmit partiak, është sot totalisht imun ndaj vlerave të qytetarisë shkodrane dhe nuk mund të përballohet më, duke iu drejtuar patetikisht për ndihmë kodit të vjetër e fisnik të qytetarisë shkodrane. Tashmë e kemi përfundimisht të qartë se ky kod nuk mund të na shërbejë më si strehë për t’u mbrojtur nga veset e politikës. Tashmë duhet të ndërgjegjësohemi se ky kriter nuk mund të na imunizojë nga tundimet e pushtetit dhe nuk sjell përfaqësimin që mëtojmë të kemi në politikë.
Kjo politikë klanore në Shkodër kërkon ta rishikojmë kodin e qytetarisë si kriter përfaqësimi në politikë. Gjykoj se vendin e këtij kodi duhet ta zërë kodi i individit, e atij individi autonom, të fortë për t’i rezistuar të keqes kryesore, nga e cila vuan jo vetëm politika në Shkodër: prirjes për t’i shërbyer vetëm vetes dhe interesave të klanit. Shkodra ka nevojë për një politikë individësh dhe jo klanesh. Por për këtë duhet kohë, ndoshta po aq kohë sa ç’është dashur për të krijuar atë kodin e pashkruar të qytetarisë shkodrane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›