E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Karta falas dhe në një sportel, procesi po dështon

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste ka dhënë dje propozimet e saj për zgjidhjen e çështjes së kartave të identitetit. Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, i kërkoi Kryeministrit Berisha të pranojë propozimet e PS-së, pasi po shkohet në përfundim të limitit kohor të mundësisë fizike për të pajisur me karta të gjithë shtetasit që nuk disponojnë pasaporta për jashtë shtetit. Xhafaj bëri dhe propozimet konkrete se si mund të përfundojë ky proces. “Ne kemi kohë që i kërkojmë kryeministrit një vendim fare të thjeshtë, që formalizon një procedurë shumë të qartë aplikimi, duke realizuar heqjen e çdo lloj pengese mbi të gjithë votuesit pa pasaporta që aplikojnë për letërnjoftim elektronik si domosdoshmëri e ushtrimit të së drejtës kushtetuese për të votuar. Shkurt, realizimin e këtij procesi sipas parimit ‘One Stop Shop’, ose e thënë ndryshe ‘Të gjithë shërbimin në një sportel’”, tha Xhafaj. Sipas këtij propozimi, shtetasit do të shkojnë në zyrat e aplikimit për kartë, ku nuk do të paguajnë tarifën e kartës, por do të plotësojnë një deklarim dhe do të jenë institucionet shtetërore që do të merren më pas me shlyerjen e tarifës së kartës nga ana e shtetasit. Ky propozim, sipas Xhafajt, do të heqë edhe taksën e votës. “Ne, Partia Socialiste konsiderojmë se në rast të mosmarrjes së masave të menjëhershme dhe radikale për të ndryshuar qëndrim në pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, atëherë, politikisht, ligjërisht, moralisht dhe praktikisht, procesi mund të konsiderohet i dështuar. Dhe bashkë me të, edhe detyrimi solemn për të garantuar zgjedhje sipas standardeve evropiane për qytetarët shqiptarë”, tha Xhafaj. Sekretari socialist paralajmëroi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se procesi i kartave po shkon në një pikë që s’ka kthim prapa, duke çuar në dështim edhe procesin zgjedhor. “Jemi në momentin e fundit të afatit kohor, që do ta çojë procesin në pikën e moskthimit. Një pikë që do të shënojë frakturën përfundimtare dhe aksidentin final e të pritshëm të shkatërrimit të institucionit të zgjedhjeve, që do të cenojë përfundimisht të drejtën kushtetuese të qytetarit shqiptar për të vendosur për qeverisjen dhe qeverisësit e tij. Taksa e votës është duke u shndërruar kështu në taksë për demokracinë dhe të nesërmen e saj”, tha Xhafaj. Sipas socialistëve, vendimet e qeverisë janë gjysmake dhe nuk zgjidhin problemin e kartave. “Ne, Partia Socialiste, sot denoncojmë fuqimisht qeverinë shqiptare dhe në veçanti kryeministrin e saj si iniciues dhe organizator të qëllimshëm të këtij procesi të çorganizuar. Masat gjysmake dhe qesharake që ka marrë deri në këto momente qeveria, dëshmojnë sa paaftësinë e saj për zgjidhjen e problemit, po aq dhe tentativën e saj të paprerë për ta drejtuar procesin në qorrsokak dhe bashkë me të, orientimin për të futur gjithë vendin në një spirale të papranueshme dhe të paparashikueshme krize politike, e cila do t´i shtohej si një barrë jashtëzakonisht e rëndë krizës ekonomike ku tashmë kemi hyrë”, u shpreh Xhafaj. Ai akuzoi qeverinë për paaftësi të qëllimshme në dëm të zgjedhjeve. “Po t´i shtosh kaosit të krijuar edhe vështirësitë reale të procesit në terren, faktin që ende procesi i aplikimit nuk ka filluar në jo pak, por në 111 komuna të vendit, atëherë mund të kemi të qartë që nuk bëhet më fjalë vetëm për paaftësi të qeverisë, por për një atentat të paramenduar të saj ndaj themelit të shoqërisë demokratike e shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndaj të nesërmes së vendit”, tha Xhafaj.

Propozimi i socialistëve “One stop shop”

Votuesi të shkojë drejtpërdrejt te stacioni i aplikimit pa qenë i detyruar të shkojë te zyra e bashkisë, komunës, e pensioneve apo te posta e kryeministrit.

Votuesi të vetëdeklarojë në një dokument standard të nënshkruar prej tij për statusin përkatës të përqasur me listat zyrtare.

Dokumenti i vetëdeklarimit mbahet nga firma koncesionare dhe i paraqitet shtetit për efekt të detyrimit financiar.

Organet shtetërore realizojnë në vijimësi procesin e shlyerjes së detyrimit nga shtetasit që kanë përfituar këtë shërbim kundrejt tarifës përkatëse.

Me këtë vendim mundësohet eliminimi tërësisht i taksës së votës, burokracia e tepërt, mundësitë për aplikim selektiv, çdo lloj mundësie për manipulim si dhe fitohet koha e humbur në kushtet kur jemi në afatet minimale kohore.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›