Pronat, mbyllet padia e Vatnikajt
Pushohet kallëzimi i Tunxh Vatnikajt, ish-kreut të shkarkuar të Agjencisë së Kthim Kompensim Pronave, ndaj avokatit Genc Çeli. Organi i akuzës i kryeqytetit me anë të një vendimi të firmosur nga prokurorja Ornela Rrumbullaku, ka rrëzuar denoncimin e bërë nga Vatnikaj, tashmë nën hetim për abuzime me pronat, duke mos filluar procedimin penal të kërkuar nga ish-kreu i AKKP-së. Në vendimin e prokurorisë pohohet se Vatnikaj më 23 dhjetor të vitit të kaluar i ka dërguar kryepolicit të atëhershëm të Tiranës, Hamdi Fjora, se ishte vënë në dijeni nga subjekti i shpronësuar Ador Dibra, trashëgimtar ligjor i Shefqet Vërlacit, se shtetasi Genc Çeli prezantohej si avokat dhe se ndaj personave të tretë hiqej si djali i tezes së Vatnikaj dhe garantonte se do u zgjidhte atyre punë te kreu i AKKP-së. Pas kësaj prokuroria ka pyetur Vatnikajn, i cili ka pohuar se në takimin që ka pasur me Dibrën, ky i ka treguar për Çelin se ai kishte filluar të prezantohej si djali i tezes së Vatnikës dhe se ai mund të ndërhynte për të zgjidhur çështjen e pronave të tyre. Pas kësaj prokuroria ka pyetur Ador Dibrën, i cili ka pohuar se me Çelin njihej që nga gjimnazi, ndërsa në 2007-ën e ka takuar në Itali, ku kanë vendosur të bashkëpunojnë për pronat e Dibrës. Çeli punonte avokat në Itali dhe brenda një kohe të shkurtër kishte arritur të mblidhte shumë informacione për pronat e Dibrës në këtë shtet. Duke mbetur i kënaqur prej kësaj, Dibra ka lidhur një marrëveshje me Çelin për një pronë në Vlorë, dhe vetëm pasi të përfundonte marrja e kësaj prone, atëherë ai do të shpërblehej. Më pas prokuroria ka ballafaquar edhe Vatnikajn me Dibrën, ku kanë përsëritur të njëjtat pretendime. Për më tepër Dibra ka pohuar se ishte pikërisht Vatnikaj ai që e ka shpikur pretendimin për djalë tezeje. Madje pohohet se në një moment Vatnikaj i ka thënë Dibrës se, nëse do mbante si avokat Çelin, s’kishte për të marrë pronat e tij. Gjatë ballafaqimit të Dibrës dhe Vatnikajt prokuroria ka dalë se prezent me ta ka qenë edhe një pinjolle e fisit Libohova, e cila kishte ndërhyrë për të realizuar takimin mes Vatnikaj dhe Dibrës. Duke argumentuar vendimin e mosfillimit të procedimit penal, prokurorja Rrumbullaku pohon se vepra penale e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryhet nga ana objektive nëpërmjet premtimit ose propozimit të funksionarëve për dhënien e përfitimit, në mënyrë që të kryejë ose moskryejë veprime që lidhen me detyrën. Në rastin konkret nuk ka ndodhur një veprim i tillë dhe për më tepër asnjë nga personat e pyetur veç kallëzuesit nuk e ka pohuar një gjë të tillë. fa.ma.