E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, Ministria e Arsimit nxjerr fituesit e fazës së parë të Maturës

Publikohen pikët e fituesve të fundit për fazën e parë të pranimeve. Ja me sa pikë do të fitohen 217 degët e universiteteve për vitin 2009

Jonida Tashi

Ministria e Arsimit nxjerr fituesit e fazës së parë të Maturës Shtetërore 2009. Për të minimizuar sadopak ankthin e maturantëve, Ministria e Arsimit një ditë para shpalljes zyrtare të listës fituesve të universitete, publikon pikët e fituesve të fundit për 217 degët e fakulteteve. Maturantët që kanë arritur të jenë mbi këtë limit të përcaktuar pikësh fitojnë të drejtën për të studiuar në universitet publike të vendit për vitin akademik 2009-2010. Nëpërmjet tabelës zyrtare, ku listohen të gjitha degët e universiteteve publike të vendit, kandidatët për në universitet do të gjejnë përkrah çdo degë kufirin e pranimeve të saj, për fazën e parë. Duke qenë se pothuajse të gjithë maturantët, nëpërmjet formulës llogaritëse të pikëve dinë përafërsisht se sa pikë kanë arritur të marrin në degët që kanë konkurruar, tashmë ata duhet të bëjnë vetëm krahasimin e tyre me pikët zyrtare të shpallura dje nga MASH-i. Nëpërmjet verifikimit të pikëve të grumbulluara dhe atyre të publikuara, kandidatët për në universitet do të mësojnë se në cilën prej degëve që kanë aplikuar kanë fituar, në cilën jo dhe ku janë më afër kufirit të pranimeve. Kështu, në rast se një maturant nuk ka fituar në preferencën e tij të parë, por gjendet shumë afër kufirit të pranimit, ai ka një shans të dytë për të qenë fitues në atë degë, nëse pas fazës së parë aty do të ngelen vende të paplotësuara. E njëjta logjike do të përdoret për plotësimin e të gjitha kuotave vakante që do të dalin pas fazës së parë të pranimeve në universitete. Tashmë është vendosur që plotësimi i tyre do të bëhet sipas rendit zbritës të pikëve, duke filluar nga maturanti i parë që gjendet poshtë vijës së pranimit e deri tek ai që kap zhvendosja e saj në plotësim të kuotave të vëna në dispozicion. Me plotësimin e këtyre të fundit për çdo degë, do të mbyllet edhe faza e pranimeve në universitete për vitin 2009.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›