Grabitja e kambistit, disa të shoqëruar në polici
Elbasan-Shërbimet e policisë së Elbasan janë në kërkim të autorëve të grabitjes së kambistit Arben Kovaçi. Persona ende të paidentifikuar e sulmuan 44-vjeçarin në kohën kur ai po kthehej në shtëpi.
Pasi e goditën në kokë me mjete të forta, maskat rrëmbyen 25 milion lekë dhe u zhdukën në drejtim të paditur. Pas ngjarjes, policia rrethoi zonën përreth dhe ngriti postblloqe në hyrje dhe në dalje të qytetit.
Në polici janë shoqëruar disa persona të dyshimtë. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Elbasanit,rreth orës 20.30 të mbrëmjes së enjte, persona ende të paidentifikuar kanë goditur me mjete të forta shtetasin Arben Kovaçi, me banim në lagjen Kongresi i Elbasanit.
I dëmtuari është dërguar në spitalin kirurgjik dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor i cili konstatoi se paratë e të dëmtuarit kanë qenë në kasetën plastike të ciklomotorit të tij. Vepra penale është klasifikuar si vjedhje me dhunë.Burime spitalore pohuan se është ende herët të flitet për gjendjen shëndetësore të pacientit, por konfirmohet se ai e ka kaluar rrezikun për jetën.