E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e kosovarëve, dyshime për inskenim

 

Policia ka gjetur gjurmë në vendin e ngjarjes por ende nuk ka asnjë të dyshuar për grabitjen. Hetohet pista e mashtrimit

PUKË- Policia e Pukës ka marrë masa me patrulla përforcuese për të mbajtur nën mbikëqyrje aksin rrugor Fushë Arrës- Qaf Mali, pikërisht aty ku ndodhi dhe grabitja e shtetasve kosovarë mëngjesin e së dielës. Burime të policisë theksojnë se mjeti i grabitur ka qenë i pari në autokolonën me katër autovetura ku udhëtonin 13 shtetas nga Kosova, të cilët kishin qenë me pushime në Shqipëri dhe ktheheshin drejt Kosovës. Sali Vesel Sobjani, 42 vjeç, nga Prishtina, ka qenë drejtuesi e pronari i mjetit me targa “283 KS 978”, të cilit i kanë dalë përpara tre persona të armatosur dhe me maska dhe i kanë marrë 25 euro, dy varëse floriri dhe një celular.

Sipas dëshmisë që Sobjani ka dhënë në polici, personat e armatosur janë larguar menjëherë duke u fshehur në pyll në errësirë sapo kanë para automjetet e tjera që po vinin. Burime nga blutë e Pukës theksojnë se në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë copë bishta cigaresh, dy qese plastike dhe një mëngë pëlhure e pambuktë që mendohet se është përdorur si maskë nga grabitësit. Këto janë duke iu nënshtruar ekspertizës ndërsa janë shoqëruar disa persona, banorë të kësaj zone të cilëve u janë marrë shenjat e gishtërinjve. Ato do të krahasohem me gjurmët e gishtërinjve të gjetura në vendin e ngjarjes. Ende nuk ka ndonjë të ndaluar, ndërsa sipas drejtuesve të policisë së Pukës, nisur nga përshkrimi që kanë bërë kosovarët e grabitur dhe nga gjurmët e provat e gjetura në vendin e ngjarjes, duket se janë afër identifikimit të autorëve.

Ndërkohë burime të policisë pohuan se po hetohet edhe pista e inskenimit në kuadër të luftës për të mbajtur tregjet turistike. Burime nga policia e Kukësit kanë shpjeguar dje se edhe vitet e shkuara është përdorur kjo strategji për të larguar turistët kosovarë nga Shqipëria dhe për t’i shpënë ata në Malin e Zi. Një pjesë e shtetasve kosovarë kanë bojkotuar plazhin tradicional të Ulqinit për shkak të rritjes së çmimeve. Policia ka hedhur dyshimet se mund të jetë një grabitje e nxitur nga konkurrentë të tregjeve të turizmit në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›