Senati i jep OK planit 700 miliardë për krizën
Amerika ka bërë gati eksperimentin e fundit fiskal që nga koha e "depresionit të madh" për të kapërcyer krizën financiare. Senati i SHBA ka dhënë OK dje për planin e Shtëpisë së Bardhë, me një vlerë prej 700 miliardë dollarësh. Të dy kandidatët, Obama dhe Mekein kanë votuar pro planit të Bush. Në fakt, paketa e qeverisë pati disa ndryshime të vogla që pas hedhjes poshtë nga Dhoma e Përfaqësuesve. Por dje në mbrëmje, Senati pas rreth 3 orë debatesh arriti ta votonte paketën shpëtuese me 74 vota pro dhe 25 kundër. Si demokratët, ashtu edhe republikanët në këtë Dhomë shprehën besimin se paketa e rishikuar do të pranohet kur të hidhet në votë ditën e premte në Dhomën e Përfaqësuesve. Pas votës së Senatit, udhëheqësi i maxhorancës, Harry Reid tha se, besonte se nuk kishte asnjë alternativë. "Populli amerikan ka të drejtën të jetë i zemëruar për krizën ekonomike me të cilën përballet dhe ne e ndajmë këtë me ta". "Mosveprimi nuk është opsion, prandaj edhe ne kemi punuar me shpejtësi dhe në mënyrë bipartizane për të ndaluar që kjo situatë të përkeqësohet më tepër", tha Reid. Senatori shtoi se priste që Dhoma e Përfaqësuesve të ndjekë këtë shembull. Dhoma e Përfaqësuesve do të duhet ta miratojë planin përpara se ai të kthehet në ligj.
Në fillim të kësaj jave programi i ndihmës dështoi në mënyrë të papritur në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky vendim u pasua me rënie të forta kursesh në bursat ndërkombëtare. Ndërkohë në programin e ndihmës janë ndërmarrë disa ndryshime. Në thelb programi parashikon që shteti t'u blejë bankave në nevojë kreditë e këqija. Kështu synohet të parandalohen trazira të reja në tregjet financiare.
Bush
Presidenti Xhorxh W. Bush deklaroi dje se projektligji financiar me një vlerë prej 700 miliardë dollarësh i paraqitur përpara Dhomës së Përfaqësuesve ishte mundësia më e mirë për të zbutur krizën aktuale të kredive. "Projektligji që do të paraqitet nesër në Dhomën e Përfaqësuesve është një projektligj që ka mundësinë më të mirë për të siguruar likuiditet, kredi dhe para, në mënyrë që biznesi i vogël dhe biznesi i mesëm të mund të funksionojnë". Bush deklaroi se po fliste me njerëz të cilët vinin nga "zemra" e Amerikës dhe se ata e kuptonin se Dhoma duhej ta miratonte këtë ligj. "Kjo gjë, kjo çështje ka shkuar përtej 'Wall Street'-it. Kjo është një çështje që prek njerëzit që punojnë", deklaroi Bush, duke shtuar: "Dhoma e Përfaqësuesve duhet t'i dëgjojë këta zëra".