Sot debati i numrave dy për Shtëpinë e Bardhë
Ndoshta është debati më i fortë se sa i vetë kandidatëve për president. Në fakt, numrat dy pas shfaqjes së tyre në publik kanë bërë që sondazhet në SHBA të ndryshojnë. Dy kandidatët për nënpresident, republikania Sara Pelin dhe demokrati Xho Bajden do të marrin pjesë në debatin e tyre të parë dhe të vetëm. Është një provë kritike për të dy kandidatët, por sidomos për guvernatoren e Alaskës, Sara Pelin, e cila sapo ka hyrë në skenën kombëtare të politikës. Debati i së enjtes do të jetë sprova më e vështirë për guvernatoren Pelin. Ajo entuziazmoi konservatorët brenda Partisë Republikane pas zgjedhjes së saj të papritur në kandidaturën e të emëruarit republikan për president Xhon Mekein. Por gjatë intervistave të fundit televizive, zonja Pelin është dukur paksa e paqëndrueshme dhe ka dhënë përgjigje jo të rrjedhshme. Disa komentatorë konservatorë kanë sugjeruar se ajo nuk është në gjendje ta bëjë punën e nënpresidentes. Bajden u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 1972 dhe ka vite përvoje në Komisionin e Senatit për marrëdhëniet me jashtë, që trajton çështjet e politikës së jashtme. Bajden është shumë aktiv në partinë e tij. Ai bën gafa kur flet dhe është kritikuar në të kaluarën se fliste shumë. Megjithatë do të jetë guvernatorja Pelin ajo që duhet ta tregojë veten gjatë debatit.