E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja ne banke, "mat" nga kamerat e sigurisë

Gazeta Shqiptare ka vendosur të publikojë pamjet e autorëve, për t'i bërë ato publike me qëllim kapjen e tyre. Ata nuk jane kapur edhe pse paraqitja e tyre në kamera është shumë e qartë 

TIRANE -Zbulohen për herë të parë pamjet nga grabitja e një lokali që shërbente për transfertat monetare me jashtë vendit dhe për këmbim valutor. Ngjarja ka ndo-dhur kohë më parë, në periferi të Tiranës. Ndonëse policia ka pasur pamje të qarta të autorëve të ngjarjes së rëndë, ata nuk janë mundur të identifikohen apo arrestohen nga uniformat blu. Autorët, sipas policisë dyshohet të jenë kontingjentë të ardhur nga rrethet e tjera, ndaj identifikimi i tyre ka qenë i pamundur. Gazeta Shqiptare ka vendosur të publikojë pamjet e autorëve, për t'i bërë ato publike me qëllim që të ndihmojë sadopak policinë në identifikimin dhe kapjen e tyre. Ndonëse ngjarja ka ndodhur shumë muaj më parë dhe pamja e autorëve mund të ketë pësuar ndryshime, paraqitja e tyre në kamera është shumë e qartë dhe mund të ketë mjaft persona që munden t'i njohin se cilët janë. 
Kamera na ofron pamjet e një grabitjeje që ka zgjatur vetëm 25 sekonda. Trafiku i automjeteve që duket përtej derës së dyqanit, rezulton me qarkullim të dendur të makinave, kurse orari është zgjedhur jo më kot mesdreka, kur është edhe piku i trafikut rrugor. Fatmirësisht në këtë rast, sporteli i dyqanit të këmbimit valutor ka qenë i pajisur me xham antiplumb, duke u dhënë një farë sigurie punonjësve që nga pamjet duken të traumatizuar. Ata janë strukur poshtë parvazit të sportelit për të evituar goditjen me armë nga hapësirat midis xhamit dhe banakut ku bëhet pagesa, si dhe u kanë bërë të ditur që kanë lajmëruar policinë. Autorët janë afruar pranë derës për të kaluar në anën tjetër të sportelit, por që ka qenë e mbyllur. Nuk kanë dashur të rrezikojnë për paratë e tjera të kasafortës, por janë mjaftuar me ato që kanë "kapur" në sportel dhe janë larguar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›