Rama: Meta s’ma prishi dot mitingun.Meta: Rama, me miting të blerë
Tubimet e turpshme të vakive janë shndërruar në procesione nekrofilie, me akuza që s’e ndalën dot siparin e luftës së papajtueshme mes PS-së dhe LSI-së. Me njerëz të paguar si dhe me zyrtarë nga bashkitë e Tiranës e të Durrësit, Edvini është shfaqur i mallëngjyer, se s’ia kishte marrë mendja se Ilir Meta nuk do t’ia prishte mitingun, ndërkohë që kryetari i LSI-së ka denoncuar atë që e ka quajtur tubim joopozitar që s’garanton dot ndryshimin e pushtetit
TIRANE - Ashtu sikundër edhe kishte paralajmëruar gjatë ditëve të shkuara, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shpallur dje zyrtarisht “Gërdecin” si manifestin e vet elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Duke e konsideruar ngjarjen aksidentale të një vitit më parë si sintezën e gjithë mandatit të parë qeverisës së
të djathtës, kryesocialisti dhe aleatët e tij politikë kanë kërkuar votën e shqiptarëve duke premtuar se me ta në pushtet ngjarje të tilla nuk do të ndodhin më, kur të gjithë e kanë ende të freskët në memorie tragjedinë e 9 janarit 2004 ku humbën jetën 28 qytetarë si pasojë e trafikut ilegal të klandestinëve dhe drogës.
Gjatë fjalës së tij kryesocialisti ka sulmuar në mënyrë të baraslarguar si kryeministrin Sali Berisha ashtu edhe kreun e LSI-së Ilir Meta duke dëshmuar edhe në këtë prag fushate elektorale se beteja në gjirin e opozitës do të jetë e rreptë.
Kreu i PS theksoi midis të tjerave se koalicioni që ai drejton kërkon që ti japë ndryshimit që po vjen duke u bashkuar për ti dhënë zë shpresës dhe ëndrrave dhe nevojave tona.
Teatraliteti i një marshimi
Protesta e djeshme e nisur nga Gërdeci, marshimi në formë stafetash nëpër autostradën Tiranë-Durrës dhe dekori i përzishëm që shoqëroi më pas evenimentin në sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit dëshmuan realisht kujdesin e madh që selia rozë i ka kushtuar si rrallëherë një aksioni të saj politik, çka kumton as më shumë e as më pak natyrën butaforike, lukzose, plot hare e kolorit që do të ketë fushata elektorale e Partisë Socialiste. Duke kopjuar ceremoninë e përvitshme të përkujtimit të shpërthimit
të bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht të vitit 1945, në orën
e shpërthimit të parë, në orën 12.20 në mesditë në postbllokun e vendosur afër kraterit të shpërthimit startoi dje protesta nën moton “Mos Harro” në përkujtim të viktimave të kësaj ngjarjeje. Por ndërsa japonezët i përkujtojnë ato 2 shpërthime të tmerrshme që shkaktuan mbi 250 mijë viktima aty për aty dhe qindra mijëra të tjera më vonë ne heshtje të plotë e ndërprere vetëm nga ding-dongu i qetë i një kambane, tubimi i djeshëm ishte i pasur me shumë elementë dramatikë: lule, muzikë funebër dhe vargje të recituara nga aktorja e angazhuar politikisht pranë PS-së, Luiza Xhuvani.
Një procesion që vijoi jo pak por për 18 kilometra nga Gërdeci në Tiranë. Dhe mund të merret me mend gjendja e rënduar psikologjike e atyre që përshkuan këtë distancë në këmbë nën ritmet apokaliptike të muzikës funebër dhe vargjet: “Shtëpinë e pashë kur
mu dogj/ Fëmijën e pashë kur mu poq/ Sa u përpoqa o zot, sa u përpoqa o zot....”. Miklimi emocional pra në këto kushte është më se evident.
Dhe më shumë se mesazhe për ndryshim tubimi i djeshëm në mizanskenën e krijuar ftonte më shumë për urrejtje.
Meta dhe Koçi, akuza PS-së
Me një tjetër miting, koalicioni opozitar i drejtuar Lëvizja Socialiste për Integrim ka organizuar tubimin e tij të protestës nën moton “Berisha ik”, fillimisht në sheshin Nënë Tereza dhe më pas para selisë kryeministrore 60 minuta para se aty të mbërrinin përkrahësit e Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së, Ilir Meta akuzoi deputetët e Partisë Socialiste, se nuk dhanë firmat për të krijuar komisionin hetimor për Gërdecin.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh në protestën e djeshme para kryeministrisë se drejtësia duhet të zbardhë të vërtetën për tragjedinë. Sipas tij drejtësia duhet të zbardhë jo vetëm tragjedinë e Gërdecit por edhe të 9 janarit.
Ndërkaq kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Petro Koçi, partia e te cilit është në koalicion me LSI-në, tha se kjo tragjedi erdhi si pasojë i një krimi shtetëror. Koçi akuzoi një pjesë e opozitës se e shiti Gërdecin për ti dhënë një mandat Berishës.
“Ne jemi këtu për të thënë ‘Berisha ik’ kësaj politike të kriminalizuar sepse vendi ka nevojë për një qeverisje më të mirë u shpreh Koçi.