E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitje me armë te një pikë bastesh në "Don Bosko"

Një grabitje me armë ka ndodhur dy ditë më parë në rrugën "Don Bosko" në Tiranë, ku hajdutët kanë mundur të marrin rreth 5 mijë euro. Dy persona të armatosur me një pistoletë dhe të maskuar me kapele kanë hyrë në dyqanin e Olsen Metajt, duke marrë gjithë paratë që i ndodheshin aty. Ngjarja ka ndodhur sapo, roja ka hapur dyqanin e basteve sportive, rreth orës 08.30 të mëngjesit të së shtunës, kur në rrugë nuk kishte shumë kalimtarë. Duke përfituar nga kjo, dy grabitësit, që sipas dëshmisë së të dëmtuarit 25-vjeçar janë të moshës 20-25 vjeç, kanë hyrë në dyqan, duke mbajtur kapele dhe syze. Kanë parë përqark, e kur janë siguruar se i zoti i dyqanit ishte vetëm, kanë nxjerrë një pistoletë dhe i kanë kërkuar paratë që mbante në arkë. Menjëherë, 25-vjeçari ka dorëzuar paratë, e ata, sapo i kanë marrë janë larguar me shpejtësi mes rrugicave. I dëmtuari ka njoftuar shërbimet e policisë dhe në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr. 3, të cilat kanë kryer veprimet paraprake dhe më pas ia kanë lënë në dorë hetimin seksionit kundër vjedhjeve me armë dhe shkatërrimit të pronës. Sipas të dhënave policore, për këtë ngjarje janë shoqëruar disa persona, por ende nuk janë zbuluar autorët e saj dhe nuk është bërë dokumentimi i plotë i kësaj vepre penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›