Sherri në lokal, 18-vjeçari plagos bashkëmoshatarin
Një sherr i momentit ka qenë duke i marrë jetën një 18-vjeçarit, kur një bashkëmoshatar ka qëlluar ndaj tij me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin "Katund i Ri", të Komunës Kashar në Tiranë, ndërkohë që policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit filloi procedimi penal për shtetasin Eriol Hajdari, 18 vjeç, banues në Komunën Kashar. Sipas policisë, rreth orës 13.00, në fshatin Katund i Ri, në lokalin "Shtëpia e Bardhë", të shtetasit Elmaz Stafa, për motive të dobëta, 18-vjeçari i lartpërmendur ka tentuar të vrasë me armë zjarri të tipit pistoletë shtetasin Lulzim Albert Duka, 18 vjeç, banues në të njëjtin fshat. I plagosuri është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet procedurale. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, në cilësinë e provës materiale u bllokua një gëzhojë e kalibrit 7.62 mm. Për autorin, policia tha se ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Gjatë gjithë kohës, policia ka ushtruar kontrolle te të afërmit e tij, por ende nuk ka arritur ta prangosë. Sipas policisë, po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që po negociohet edhe me familjen e adoleshentit për vetëdorëzim.
Ble.Gi.
Ble.Gi.