E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitje me maska në Mat e Vlorë

Maskat grabisin në Vlorë dhe Mat. Pre e grabitësve të maskuar kanë qenë pasagjerët e një furgoni dhe një pikë karburanti. Ngjarja e parë ka ndodhur në aksin rrugor Selishtë-Tiranë, rreth orës 08:00 të ditës së djeshme. Dy persona të maskuar kanë ndaluar furgonin me targa të Tiranës dhe kanë marrë paratë dhe sendet me vlerë të pasagjerëve, por nga kjo ngjarje, fatmirësisht, nuk pati të plagosur. Ndërkohë që rreth orës 02:30, po të mëngjesit të djeshëm në periferi të Vlorës, pasi janë futur në një pikë karburanti, grabitësit kanë dalë me kasafortën e saj, ku brenda kishte 12 milionë lekë. Nga policia kanë nisur hetimet, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë person të arrestuar në lidhje me këto ngjarje.

Grabitja në Mat
Në mëngjesin e së hënës, një furgon me targa TR 2092 T ishte duke udhëtuar në drejtim të Tiranës. Ndërsa ai ishte afruar në vendin e quajtur Vig, në Mat, dy persona të maskuar i kanë dalë përpara dhe i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte. Ky i fundit ka frenuar, ndërsa dy grabitësit të armatosur me një automatik kallashnikov u kanë bërë shenjë pasagjerëve që të dilnin jashtë. Të 20 personat që udhëtonin në drejtim të Tiranës janë kërcënuar të dorëzonin të gjitha paratë, sendet me vlerë e celularët. Më pas, dy grabitësit pasi u është plotësuar kërkesa, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar fizikisht apo me armë. Ndërkohë që më pas, 20 personat e grabitur janë drejtuar për në komisariat, ku kanë kryer edhe denoncimin. Policia mori në pyetje dëshmitarët, ndërkohë që ngriti postblloqe në zonë për të bërë të mundur ndalimin e autorëve të krimit, por pa ia arritur. Po punohet për identifikimin dhe arrestimin e tyre.

Vlorë
Në orën 02.30 të mëngjesit të së hënës, roja i një pike karburanti përgjatë rrugës drejt Babicës në periferi të Vlorës ka ndier një zhurmë. Më pas dy persona të armatosur e të maskuar i janë afruar me shpejtësi dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar atij paratë e xhiros ditore. Më pas, grabitësit kanë dalë me shpejtësi duke marrë me vete kasafortën. Sipas burimeve nga policia, shuma e parave të marra është rreth 12 milionë lekë. Roja ka lajmëruar policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. U ngrit një grup hetimor dhe po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›