E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në qeli, kapet qesja me hashash në burgun e Vaqarrit

 

TIRANE - Drogë në burgun e Vaqarit, destinacioni mbetet enigmë. Burime nga ky institucion pohojnë se rreth mesditës së djeshme nga punonjës të policisë së burgut është vënë re një qese e vogël e ngjitur me izolues që ndodhej pranë pjesës së jashtme të murit që rrethon regjimin e brendshëm të burgut. Pasi kanë parë se brenda qeses ndodhej një sasi hashashi prej 12 gramësh, autoritetet kanë njoftuar SHKB-në e burgjeve, nga të cilët kanë marrë urdhër të mos e lëviznin nga vendi, ndërsa të mbanin në vëzhgim në distancë, për të parë se cili person do shkonte ta merrte. Funksionarë të burgut pohuan dje se në zonën ku ishte hedhur narkotiku, rrallë kalonte ndonjë i burgosur, i punësuar në sektorin e pastrimit. Ndërsa nga mënyra e gjetjes së lëndës narkotike dyshohet se ishte hedhur nga jashtë murit rrethues të burgut me qëllimin për të rënë në fushën e ajrimit, por që nuk kishte mbërritur në destinacion. Fillimisht u dyshua se mund të ishin implikuar policët që kryenin shërbim në atë zonë, por hetimet paraprake kanë nxjerrë se asnjë gardian i burgut nuk ishte përfshirë në këtë ngjarje. Pas kësaj në burg kanë mbërritur edhe agjentët e antidrogës të policisë së kryeqytetit, të cilët kanë nisur hetimin për këtë ngjarje.                      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›