E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e celularëve, Pollo: Në pranverë shërbime më të lira



Ne pranverën e këtij viti shqiptarët që përdorin telefon celular, do të përfitojnë shërbime më cilësore dhe më të lira. Kjo deklaratë është dhënë nga ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, i cili u shpreh se në tregun e operatorëve të telefonisë celulare do të ketë edhe më shumë konkurrencë. "Në 2011 shqiptarët që përdorin telefon celular do të përfitojnë shërbime më të mira me çmime më të lira. Do të kemi internet me shpejtësi të lartë në dorën tonë",- tha Pollo. Ministri Pollo ka premtuar se gjatë këtij viti, do të synohet që dhe mjaft shërbime që kryhen nga institucionet publike dhe që ju marrin shumë kohë qytetarëve, të kryhen në mënyrë elektronike. "Ato shërbime dhe informacione që sot kërkojnë për çdo shtetas, apo dhe për zvarritje nga zyra në zyre, me zhvillimin e uebsajteve i marrim këto shërbime dhe informacioneve me një, tre, apo pesë klikime",- vijoi ai.

Teknologjia
Por, 2011-a do të jetë dhe viti i ndërtimit të Rrjetit Kombëtar Brezgjerë, i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, si dhe lidhja me kabllo ndërkombëtare me fibra optike, ka deklaruar ministri Genc Pollo. Këtë vit që sapo kemi nisur shqiptarët do të kenë akses më të gjerë komunikimi nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Konkurrenca në treg do të favorizojë përdorimin e celularit me shërbime më të mira dhe çmime më të lira. Ndërkohë, interneti me brez të gjerë do mundësohet kudo falë shtrirjes së kabllove ndërkombëtare me fibra optike. Këto janë objektivat që Ministria për Inovacionin i ka vendosur vetes për t’i realizuar gjatë vitit 2011. Informacionet zyrtare do të jenë të përdorshme nga çdo qytetar nëpërmjet zgjerimit të sistemit të qeverisë dixhitale, projekt ky që sipas ministrit Genc Pollo, synohet të përfshijë dhe pushtetin lokal. Ndërkohë, sipas statistikave mbi 50% e shqiptarëve janë përdorues të internetit. Rreth 1/3 e qytetarëve përdorin rrjetin “Facebook”, shifër kjo që e rendit Shqipërinë më lart se Zvicra dhe Franca.

Tarifat celulare
Qytetarët pritet të përballen me një ulje të tarifave celulare deri në masën 30 %, në pranverën e këtij viti. Këtë premtim bën edhe Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), e cila parashikon që në mars të gjitha llojet e shërbimeve celulare, do të kenë tarifa më të ulëta. Kjo situate vjen edhe si pasojë e zbatimit të shërbimit, ku konsumatori mban të njëjtin numër, por ndërron kompaninë. Ndonëse parashikimi është për ulje deri në 30% të tarifave, serish çmimet e telefonisë së lëvizshme në Sheperi janë më të larta se mesatarja evropiane. Ndërsa synohet që me ketë ulje t'i afrohemi mesatares rajonale. Aktualisht tarifa mesatare për minutë arrin në 25 lekë. Në nivele të larta janë edhe çmimet e mesazheve. Sot çdo shqiptar paguan mesatarisht 14 lekë për një mesazh, çmim ky i cili është disa here më i lartë se kostoja reale.

Buxheti, 44 miliardë lekë për punët publike në 2011

Ndërtimi i rrugëve dhe projekte të tjera në infrastrukturë do të përfitojnë pjesën më të madhe të investimeve nga buxheti i shtetit për vitin 2011. Projekt buxheti i miratuar muajin e shkuar përcakton që rrugët, strehimi, sistemet e ujësjellësave dhe punët e tjera publike të marrin nga buxheti i shtetit rreth 44 miliardë lekë. Në total shpenzimet për vitin që sapo nisi janë 409 miliardë lekë, që do të shkojnë për zëra të ndryshëm. Përsa i përket investimeve të ndara sipas ministrive, ajo e Punëve Publike do të marrë pjesën më të madhe. Kështu, në buxhet përcaktohet që me rreth 44 miliardë lekë të ndërtohen dhe rehabilitohen 92 kilometra rrugë të rrjetit kombëtar. Më këtë shumë gjithashtu do të mundësohet mirëmbajtja e rrjetit rrugor dhe rritja e cilësisë së shërbimit për furnizimin me ujë në zonat urbane në 91% të totalit të popullsisë dhe për zonat rurale në 71% të totalit të popullsisë. Buxheti i shtetit për 2011 ka parashikuar gjithashtu dhe dhënien e 40.4 miliardë lekëve për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, 3.8 miliardë lekëve për ministrinë e Shëndetësisë dhe 6.8 miliardë lekë për Ministrinë e Bujqësisë. Përsa i përket rrugëve, një pjesë e financimit nga ministria e Punëve Publike do të kalojë për ndërtimin e aksit të ri rrugor Tiranë - Elbasan. Këtë vit pritet që të nisë puna për këtë projekt disa vjeçar.

Drejtoresha e Bankës Botërore do të vizitojë nesër Shqipërinë

Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore Ngozi Okonjo-Iëeala do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë nga data 9 deri në 11 janar. Qëllimi kryesor i kësaj vizite do të jetë të theksojë rëndësinë e "Axhendës së re të rritjes" për Shqipërinë dhe të shprehë mbështetjen që Banka i jep qeverisë, bazuar në Strategjinë e Partneritetit për Vendin. Gjithashtu, ajo do të shprehë solidaritetin e BB-së me të dëmtuarit nga përmbytjet e fundit masive në zonën e Shkodrës, si dhe do të diskutojë mbi mbështetjen e mundshme për zbutjen e rreziqeve në të ardhmen. Gjatë vizitës së saj treditore, znj. Ngozi Okonjo-Iëeala do të zhvillojë takime me kryeministrin Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe Guvernatorin e BSH-sw, Fullani.

Fillimi i janarit shënoi zhvlerësim të monedhës euro kundrejt lekut

Dje në tregun e lirë valutor një euro është këmbyer mesatarisht për 138-138.5 lekë. Fillimi i janarit ka shënuar zhvlerësim të monedhës evropiane, kundrejt lekut tonw. Ditën e shtunë në tregun e lirë valutor një euro është këmbyer mesatarisht për 138-138.5 lekë. Sipas kambistëve, blerjet e euros janë bërë nga individë dhe në sasira të pakta. Kambistët nuk presin që euro të vazhdoje të rrijë në këto vlera edhe gjatë këtij muaji derisa të fillojë aktiviteti normal i bizneseve, të cilët janë konsumatorët më të mëdhenj të monedhës evropiane.

10 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›