Krizë apo Paaftësi
Nga Adriana Civici
Tashmë të gjithë jemi të njohur për përmasat e krizës botërore të çmimeve ushqimore dhe në veçanti drithërave, tregjeve financiare, energjisë, naftës, biokarbureve. Të gjithë jemi të njohur me alarmin, por ç’është më e rëndësishmja më orientimet strategjike dhe politike që Institucionet Ndërkombëtare po i adresojnë si ndaj kompanive dhe konsorciumeve që dirigjojnë ecurinë ekonomike botërore, ashtu edhe ndaj humbësve që në fakt nuk janë pak po të marrim në konsideratë vendet e varfra apo në zhvillim. Dhe së fundi, të gjithë jemi të njohur me masat që po marrin ekonomitë e ndryshme, për të minimizuar efektet e kësaj krize, kryesisht të fokusuara në masat frenuese të saj, në stimulimin e prodhimit vendas dhe krijimin e rezervave të tyre.
Në Konferencën e Nivelit të Lartë për Sigurinë Botërore të Ushqimit, mbajtur më 3 Qershor/2008 në Romë, Drejtori i Përgjithshëm i OBT-së, z.Pascal Lammy dha disa orientime shumë të vlefshme se si kjo organizatë do të ndihmojë në zbutjen e krizës, dhe konkretisht: “Nëpërmjet rritjes së konkurrencës së drejtë dhe të ndershme, tregtia ndërkombëtare do të çojë në uljen e çmimeve të produkteve, pasi thellimi i tregtisë së hapur do të rrisë kapacitetin prodhues në vendet në zhvillim, duke i bërë ato më pak të ekspozuara ndaj efekteve negative të kësaj krize. Kjo pasi nga një studim i bërë nga FAO rezulton se 22 vendet të identifikuara si më të prekurat, janë pikërisht vendet me ekonomi me “shumë pak tregti të integruar në tregjet botërore bujqësore’”, jo se nuk kanë tregti me jashtë, por sepse rezultojnë me pothuajse 100% importe të produkteve bujqësore të konsumit të përditshëm! Një drejtim tjetër sipas Lammy-s është pikërisht një nga shtyllat e Raundit të Doha-s, reduktimi deri në ezaurim i deformimeve në treg si pasojë e subvencioneve në bujqësi qe ju jep avantazhe të padrejta fermerëve të botës së pasur, duke dhënë kështu kontributin e gabuar në ekuilibrimin e kërkesës me ofertën botërore” Megjithatë sipas tij, këto janë pjesë të zgjidhjes, por jo të mjaftueshme, pasi sfida numër një është fuqizimi i kapacitetit prodhues në botën në zhvillim, ku mbi të gjitha ai thekson masat imediate, afat-mesme dhe afat-gjata në planin nacional të çdo vendi, dhe që në fakt lidhen drejtpërsëdrejti me aftësinë menaxhuese të qeverive përkatëse!”
Ndërsa po ti referohemi forumit në faqen e internetit të “Politikave Europiane”, dhe në mënyrë specifike artikujve të veçantë të “Herald Tribune”, shkak sidomos i krizës së çmimeve të naftës është jo vetëm problemi fundamental i saj, pra prishja e ekuilibrit kërkesë – ofertë, por shtrirja dhe lulëzimi i monopoleve në këto tregje. Sipas komenteve të këtij forumi parimi i kërkesë-ofertës është më se i pranueshëm në tregjet e konkurrencës së lirë, por sot tregjet botërore dominohen pikërisht nga monopolet, oligopolet e organizuara dhe mbështetjet shtetërore që ju jepen karteleve në të dy kahet si ndaj atyre që përfaqësojnë zinxhirin e ofertës ashtu edhe ndaj prodhuesve apo bizneseve individuale që dominojnë jetën ekonomike në SHBA, Angli, në Lindjen e Mesme, Afrikë e bile dhe në Rusi.
Sigurisht që ndalja e rritjes së çmimeve botërore, do të kërkojë kohë, dhe gjithashtu bërja e ndryshimeve të mëdha në kërkesën dhe ofertën kërkon një përpunim perfekt të mendimit ekonomik botëror në terma afat mesme dhe afat gjata, por në të njëjtën kohë nuk ka vend për zgjidhje më të shpejta?
Strategjia afat-gjatë është që pa humbur kohë duhet investuar për të çrrënjosur monopolet botërore, për ti hapur aktivitetet e tyre ndaj konkurrencës së lirë, dhe kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet rolit të padiskutueshëm që duhet të luajë Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila si një qeveri e vetme botërore, do të krijojë premisa për barazi dhe mundësi të barabarta, duke e konsideruar botën si një njësi e vetme ekonomike!
Ndërsa strategjia afat-mesme është rritja e investimeve në prodhim, në bujqësi, në sektorin e naftës, në gjetjen e alternativave të tjera që do të zëvendësojnë energjinë.
Dhe së fundi, zgjidhjet më të shpejta rekomandohen reduktimi i taksave dhe tatimeve ndaj produkteve të naftës, atyre agroushqimore, rritja e kontrolleve investigative që qeveritë duhet të bëjnë ndaj prodhuesve, tregtarëve spekulatorë dhe manifakturave të fuqishme, për t’ju imponuar këtyre të fundit sjelljen e çmimeve në normalitet dhe sa më afër kostos së prodhimit! Ndërsa në vende të veçanta, p.sh. në Hungari, Fermerët në protesta po kërkojnë përdorimin urgjent nga qeveria të kontrollit lokal të çmimeve të ushqimeve, dhe po në këtë linjë fermerët e Brazilit, Meksikës apo Guatemalës e Koresë, i kërkojnë qeverive të tyre të ashtuquajturin “sovranitet ushqimor”, zhvillim të qëndrueshëm lokal të bujqësisë së tyre, duke insistuar se vetëm fuqizimi i komuniteteve lokale do ti ndihmojë ata të përballojnë krizën!
Përballë këtyre analizave dhe mësimeve nga bota, në Shqipëri gjendja e politikave për tu ndërmarrë është tepër e vakët, mbështetja për fermerin zero, investimet për zhvillim në bujqësi fare pak, dhe këtë e komprometojnë disa fakte si: “rritja e fortë që kanë pësuar pa përjashtim të gjithë zërat e kostos në bujqësi si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit, ku plugimi i kushton fermerit 1200-1800 lekë, frezimi 800 lekë për dynym, farërat, mbjellja, plehërimi dhe korrja, kushte që e detyrojnë fermerin ose të rrisë çmimin e produkteve që shet, ose duke mos përballuar dot shpenzimet, të braktisë tokën, vetëm 40% e bujqësisë sonë është e mekanizuar, 20% e tokave rezultojnë djerrë sipas qeverisë, por në fakt kjo shifër është sa dyfishi i përqindjes zyrtare, çmimet referencë tepër të larta, duke stimuluar mbështetjet preferenciale të bizneseve të caktuara, dëmtimin e industrive vendase dhe deformimin e instrumenteve ekonomikë e financiarë që duhet të ushqejnë zhvillimin, asnjë masë për rritje të prodhimit vendas, monopolet, korrupsioni, norma e lartë e akcizës, dhe asnjë masë në horizont për reduktimin apo eliminimin e saj për produktet që importohen, një inflacion tepër i lartë, vënie në zbatim e skemave të dështuara për kompensim të kësaj krize po të kemi parasysh kompensimin vetëm të buxhetorëve dhe kjo në përmasa qesharake për energjinë dhe çmimet, dhe mungesën e kompensimit për shtresat më në nevojë, që realisht janë skema të institucioneve si Banka Botërore, por njëkohësisht totalisht të munguara tek ne, etj.”
Po ti kthehemi dhe një herë argumentit që vendet e ekspozuar nga kriza ndërkombëtare siç po është dhe Shqipëria duhet në mënyrë të padiskutueshme të kenë tregti të integruar në tregjet bujqësore ndërkombëtare, ne e patëm këtë shans, por tashmë e kemi humbur për të mos thënë që na është kthyer në boomerang. Shqipëria e zhvilloi dimensionin e tregtisë së integruar nëpërmjet Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, por shteti dhe qeveria s’bënë asgjë në drejtim të rritjes së prodhimit dhe investimeve vendase për ta bërë ekonominë shqiptare konkurruese në tregjet ku u negociuan këto marrëveshje, dhe sot Shqipëria rezulton një ekonomi plotësisht e varur nga importi sidomos pikërisht në produktet që i mungojnë konsumatorit shqiptar e që njëkohësisht janë produktet që në tregjet tona shfaqen me inflacionin e krizës së thelluar botërore, me fare pak eksporte që dhe ato lënë shumë për të dëshiruar për nga cilësia dhe standardet!
E kjo është kriza e brendshme që ne s’po mund ta menaxhojmë, e jo më të aspirosh të menaxhosh efektet e globalizimit! Pasi ne akoma nuk dimë kuptimin e nocioneve të ekonomisë moderne: “si të investosh për zhvillim të qëndrueshëm dhe ekonomi produktive”, “si të investosh për reduktim të varfërisë”, “si të investosh për ambient fiskal produktiv”, si të investosh për bujqësi moderne, ku fermerët dhe prodhuesit lokale të mos gënjehen me Shqipërinë 1 Euro që do t’ju sjellin në vatrat e tyre investitorë të huaj me gjithë shkopinjtë e tyre magjikë, por të mbështeten nga qeveria e tyre me rrugë dhe infrastrukturë normale që prodhimet të mund ti çojnë deri në tregjet e konsumatorëve”!
*Kryetare e Komisionit të Ekonomisë LSI
19 Qershor 2008