E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosfunksionimi i tiroides sjell probleme me zemrën



Kushdo ka pasur probleme me tiroiden është ndeshur edhe me simptomat që ajo shfaq, pra temperaturë e ulët trupore, duar dhe këmbë të ftohta, probleme me lëkurën, sytë, tingëllim të veshëve, këputje thonjsh, gjendje stresi, pagjumësi etj. Por problemet e shfaqura nga mosfunksionimi i tiroides prekin edhe zemrën, vihet re një dobësi dhe ulje e ndjeshme në punën e saj. Testimi dhe diagnostikimi i tiroides bën të mundur që të analizohen edhe problemet e tjera që mund të jenë shfaqur prej ndikimi të saj si: probleme të zemrës, gjakut, menopauzës te gratë etj.
Tiroidja është një gjëndër me sekrecion të brendshëm që ndodhet poshtë “Mollës së Adamit”. Ajo merr pjesë në metabolizmin e organizmit dhe të gjitha hormonet e saj i derdh direkt në gjak. Në vendin tonë tejkalohet kriteri për ta quajtur këtë sëmundje epidemike, pasi ajo gjendet në mbi 80 për qind të popullatës, ndërsa sipas UNICEF-it në 97 për qind të njerëzve të studiuar kishte mangësi në sasinë e përvetësimit të jodit.
Mungesa e jodit
Mungesa e jodit është pikërisht zanafilla e strumës, që kohët e fundit njihet me një emër të vetëm, Sindroma e Deficiencës Jodike. Gusha apo struma është një shfaqje e zakonshme në kushtet e vendit tonë dhe nga ana tjetër ajo mund të jetë e pranishme në shumë sëmundje të gjëndrës tiroide, që nga shtimi dhe pakësimi i funksionit deri te mahisjet dhe tumoret e saj. Gusha karakterizohet nga zmadhimi i gjithë gjëndrës ose një lobi të saj, si pasojë e mungesës së jodit në dietë. Jodi është lënda bazë për formimin e hormoneve të tiroides. Kur kjo lëndë mungon, organizmi përpiqet ta kompensojë këtë me zmadhimin e gjëndrës tiroide në mënyrë që ajo të kapë dhe të përdorë sa më mirë atë sasi jodi që merr me ushqimin. Më të prekur nga tiroidja janë njerëzit që konsumojnë ushqime të varfra me jod kanë deficit në jod në organizmin e tyre dhe si pasojë e kësaj gjëndra tiroide rritet në vëllim, duke dhënë imazhin e gushës ose të strumës. Në botë ka rreth 1 miliard persona që kanë mungesë të jodit. Struma më shpesh shfaqet gjatë adoleshencës dhe është më e shprehur te femrat, veçanërisht gjatë shtatzënive.
Kërkimet
Kërkimet e bëra kanë treguar se faktori që ndikon te simptomat që shfaq tiroidja vjen është veprimtaria e ulët e saj, e cila mban numrin një në shkaktimin e problemeve të mbipeshës, sidomos te gratë. Problematike është gjendja kur tiroidja ka shfaqur probleme të hershme dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për të rregulluar funksionin e saj. Sepse edhe pse është e shërueshme dhe e trajtueshme është një sëmundje që duhet trajtuar për një kohë më të gjatë, sesa në rastet kur trajtimi bëhet në një fazë të hershme. Një gjendje e tillë e lënë pas dore mund të shfaqë shenja tensioni, ankthi, depresioni dhe lodhje të përgjithshme mendore e trupore. Duke qenë se mosfunksionimi i tiroides sjell edhe probleme të zemrës dhe gjakut është e këshillueshme që testi i tiroides apo kontrollet mjekësore të jenë të vazhdueshme për ata persona që dallojnë simptoma të mosfunksionimit të tiroides.
Shkaktarët
Nga shumë kërkime të bëra ka rezultuar se një dietë e varfër, po ashtu edhe një teprim në të ushqyer luajnë rol të rëndësishëm në mosfunksionimin e tiroides. Prej disa dekadash është njohur veprimi i jodit në gjëndrën tiroide. Kripa e jonizuar mendohej se e zgjidhte këtë problem, por kjo nuk është plotësisht e vlefshme. Sepse gjatë të ushqyerit merren dhe shumë përbërës të tjerë ushqimorë të cilët pengojnë çlirimin e jodit në gjak. Disa studime kanë treguar se efektet e sheqerit dhe drithërave janë të dëmshme për tiroiden, por përsëri janë ndër produktet ushqimore më të konsumueshme në dietën tonë ditore. Po ashtu edhe disa lloje vajrash të përdoruar për gatim janë të dëmshme sepse kanë në përbërje të tyre përbërës të cilët pengojnë çlirimin e fluorit në gjak. Por tani shpresa për përmirësimet që sjell përdorimi i vajit të arrës së kokosit, tregon edhe për ndihmesën që ky produkt ushqimor sjell edhe në gjendjen mendore.
Ushqimet
Ushqimet që ndikojnë negativisht te tiroidja janë ato produkte që përmbajnë lëndë që ndikojnë në zmadhimin e strumës. Të tilla mund të përmendim lakrën e bardhë, fasulet, gështenjat. Prandaj duhet pasur kujdes në përdorimin e tyre. Të sëmurët me gushë mund të ankohen kur ajo është e madhe dhe ka shtrirje edhe pas dërrasës së kraharorit. Në këto raste, ata kanë rëndim dhe vështirësi gjatë gëlltitjes. Por ka dhe disa të sëmurë që ndiejnë shtrëngime në grykë, kjo gjendje nuk lidhet me tiroiden. Nëse tiroidja kapet në kohë, parandalohet më shpejt se kurimi. Mjekimi i gushës është relativisht i thjeshtë, por i zgjatur në kohë. Si mjekim për moshat e rritura përdoret hormoni i tiroides. Në vendin tonë si metodë parandaluese është zgjedhur jodizimi i kripës. Por kripa duhet të ruhet nga lagështira dhe kontakti me dritën.

Simptomat
Ndryshime në funksionin e gjendjes së tiroides
Ndjesi nxehtësie tek ata që kanë tepricë jodi
Djersitje të duarve dhe pjesëve të tjera të trupit
Ndjesi të ftohti tek ata që kanë nevojë për jod
Lodhje trupore, si pasojë e mungesës së jodit
Flasin dhe veprojnë ngadalë, nga prodhimi i jodit nën masën e lejuar
Lëkurë e ashpër dhe e thatë
Mungesa e jodit nuk lejon djersitje
Acarim, që sjell trashje të zërit
Dhimbje muskulore
Mungesë oreksi
Duar dhe këmbë të ftohta
Temperaturë e ulët e trupit
Ndjeshmëri e dobët
Dhimbje të forta koke
Pagjumësi
Sëmundje të ndryshme të lëkurës
Djegie të syve
Rënie flokësh
Thonj që të thyhen
Probleme më dëgjimin, si dhe ajo që duket më qartë probleme me mbipeshën.

Këshillat
Kryerja e analizave dhe kontrolli tek mjeku
Mbajtja në normë e TSH-së
Marrja e mjekimit në mënyrë të rregullt
Filloni ushtrimet fizike
Marrja e rrezeve të diellit çdo ditë
Këshillohet të konsumohet sa më pak sheqer
Këshillohet gjumë i qetë dhe i mjaftueshëm
Pirja e çajit me kamomil para gjumit
Konsumimi i lëngjeve që përmbajnë vitamina
Përdorimi i bulmetit, frutave dhe perimeve
Nuk këshillohet mish dhe peshk i skuqur
Evitoni gripin në sezonin e ftohtë

Përgatiti: Jonida Tashi

Të rejat nga shkenca
Studimi, ushqimi për artritin
Ekzistojnë disa ushqime të cilat mund t’u ndihmojnë personave të cilët vuajnë nga artriti. Dhimbja e cila është e pranishme te artriti është pasojë e proceseve inflamatore, ndërsa substancat e pranishme në ushqim i bllokojnë enzimat të cilat e shkaktojnë këtë inflamacion. Vishnjat dhe qershitë kanë ndikim të mirë për shkak të antocianëve të pranishme në to, ndërsa studimet tregojnë se një lugë në ditë nga lëngu i vishnjave i zvogëlon markerët e inflamacionit. Spinaqi dhe çaji i gjelbër kanë ndikim të ngjashëm, ndërsa pozitivisht ndikojnë edhe farat e lirit si burim të acideve omega-3-yndyrore. Soja dhe brokoli, po ashtu rekomandohen për shkak të substancave kimike të cilat i përmbajnë.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›