E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradeci: Brenda banesës së Enverit kishim shërbim special

Vijon dëshmia e panjohur e shefit të sigurimit personal të Enver Hoxhës. Në këtë intervistë të radhës Sulo Gradeci për herë të parë hedh dritë mbi atë çka ndodhte në të vërtetë në shtëpinë e kreut të shtetit komunist. Si bëhej sigurimi i banesës së tij dhe detyrat e oficerëve që shërbenin në korridorin e katit të parë kur Enver Hoxha ishte në momente pushimi. E vërteta për tunelet e nëndheshme në shtëpinë e tij dhe si ishte menduar evakuimi në një moment agresioni mbi vendin tonë. Kush e bënte furnizimin ushqimor në kuzhinën ku Miço Madhi përgatiste gatimin për Enver Hoxhën dhe mënyra e përpilimit të faturave monetare. Si i dorëzohej rroga mujore dhe mënyra e zhdëmtimit të shpenzimeve familjare. Kush e paguante qeranë e banesës dhe çfarë ndodhte në rastin kur shpenzimet e kalonin vlerën e rrogave të marra.
(vijon nga numri i kaluar)
Zoti Sulo, vijuam intervistën e numrit të kaluar për detyrat që ju keni pasur gjatë kohës së pas luftës deri sa erdhi momenti që u emëruat në detyrën më specifike të kohës së Shqipërisë komuniste, të punoje në sigurinë personale të vetë Enver Hoxhës. Kjo sigurisht u bë me qëllimin e vetëm që lexuesi për herë të parë të mësonte për jetën personale edhe të personit që u bë i njohuri i Shqipërisë, për vetë faktin që për 30 vjet me radhë ai ja doli që në krye të grupit që drejtonte të arrinte një shërbim dhe një devotshmëri perfekte ndaj liderit të shtetit të djeshëm Enver Hoxha. Nga sa thamë më lart po ju kujtoj se intervistën e ndërpremë pikërisht në momentin kur pas peripecish të shumta zyrtare ju arritët që mes shumë kandidaturash të spikatura në strukturat e sigurimit të shtetit të mund të piketoheshit personalisht nga Enver Hoxha për të kryer detyrën që do t'ju bënte të njohur gjë për të cilën, edhe unë si gazetar, siç e shikoni, po tregoj këtë interes kaq të vëmendshëm. Tani le të mësojmë detaje dhe të vërteta rreth jetës së Enver Hoxhës dhe mënyrës së sigurimit të tij. Pyetja e parë e imja ka të bëjë me vijimin e pyetjes ku u ndalëm nga numri i kaluar, pikërisht për ditën e parë të emërtesës suaj, ku Hysni Kapo ju bëri komunikimin dhe bëtë takimin e parë zyrtar me Enver Hoxhën për marrjen e detyrës, tashmë do të flasim se si vijoi puna tuaj në atë ambient.
Si quhej saktësisht emërtesa juaj?
( Qesh ) Së pari ju kujtoj se nuk e kam fare përzemër kur më drejtoheni me "Zoti". Do të kisha më shumë qejf që të më drejtoheshit me "shoku", pavarësisht etikës zyrtare që ju jeni i detyruar të përdorini. E them këtë se "shoku" kam qenë tërë jetën dhe i tillë do të ngelem sepse jam shumë larg asaj shprehje "Zoti", me të cilën më ndan "ndershmëria" dhe karakteri që kam për të ngelur ashtu si kam qenë. Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj po ju them se detyra ime saktësisht quhej "Komandant i Grupit të Sigurimit të Enver Hoxhës".
Thatë se para se të fillonit punën pas emërtimit në detyrën specifike me Hysni Kapon ju takoi vetë Enver Hoxha në zyrën e tij. Si vijoi pas kësaj?
Pas takimit me Enver Hoxhën, i cili më shumë se prezantim ishte fillimi zyrtar i punës. Kam shkuar dhe kam mbledhur të gjithë personelin që varej nga unë. Kemi bërë prezantimet. Jam njohur me detyrën. Kam studiuar situatën. Shkova në zyrë dhe fillova të njihesha me rregulloret e shërbimit dhe të sigurisë së bllokut dhe ato të shërbimit personal të Enver Hoxhës.
Ku e kishit zyrën?
Ishte një godinë e shmangur nga banesa në të cilën rrinte shërbimi i gatishmërisë së tij që kishte shërbimin e radhës si shoferi, shoqëruesi etj. Kjo godinë e shërbimit ishte e shmangur nga banesa që binte diku në kënd. Konkretisht për të pasur si ide ishte majtas në kënd si hyn te hyrja kryesore e banesës së tij. Aty ku sot është një lokal. Pra që ta vazhdoj si u njoha me rregulloret e shërbimit dhe detyrat e mia dhe u njoha mirë me personelin dhe mënyrat e shërbimit fillova menjëherë nga puna konkrete.
Po a s'ishte kjo puna juaj konkrete?
E di pse e bëni këtë pyetje, pasi si shumë të tjerë keni idenë se puna jonë ishte të rrije vetëm vigjilent dhe në gatishmëri për të ruajtur jetën e Enver Hoxhës. Por nuk ishte vetëm kjo. Unë ju shpjegova se emërimi im ishte në një vend organik që u hap në atë kohë që unë shkova. Pra s'kishte funksionuar më parë. Kështu unë ju bëj me dije se detyra jonë ka qenë shumë herë më e madhe se një sigurim i thjeshtë i jetës së tij. Ne duhej ti krijonim atij kushte maksimale që të ushtronte funksionet si kryetar shteti, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, si Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes dhe si Drejtues i Partisë, i cili ishte në krye të të gjitha strukturave të shtetit.
Po si mund ti krijonit juve këto kushte apo këto mundësi maksimale siç edhe thoni, kur juve ishit vetëm shef i grupit sigurisë së tij?
Pikërisht këtu do të dal. Si lexova rregulloret dhe u njoha me efektivin dhe detyrat që nuk më hëngri më shumë se dy ditë kohë, fillova nga zbatimi i rregullores. Që ti jap përgjigje pyetjes suaj, se si mund ti krijoja kushtet maksimale, po them se kjo ka të bëjë me organizimin e të gjithë punës së shërbimit të tij. Aty duhej të funksiononte në perfeksion ndërlidhja, por që kjo varej nga Ministria e Mbrojtjes. Duhej të ishin në efiçencë mjekët dhe të mos mungonin barnat e domosdoshme në farmacinë personale të tij, por që kjo varej nga klinika e udhëheqjes. Por kuzhinieri siç ta tregova apo pastrueset, bahçevani apo të tjerë punonjës të pjesës së brendshme të banesës së tij vareshin nga Drejtoria e Pritjes. Por kemi edhe shumë shërbime sidomos kur Enver Hoxha mund të lëvizte në një rreth të vendit që duhej të kryheshin nga Grada e Republikës, por kishte edhe shërbime që siguronin godinat e Komitetit Qendror dhe Kryeministrisë vareshin nga "Drejtoria e Dytë". Se këto godia ishin nën sigurinë e kësaj drejtorie, por kemi parasysh se Enver Hoxha kishte zyrën në Komitetin Qendror gjë që duhej të mbanim në efiçencë shërbimin e oficerëve të atij ambienti që të ishin në vigjilencën dhe mënyrën që kërkonte rregullorja për kreun e shtetit. Por ata oficerë nuk vareshin nga ne.
Dhe çfarë bënit në këtë rast?
Këtu ta kisha idenë e fillimit të përgjigjes së mësipërme. Unë menjëherë si fillova punë gjatë javës së parë të saj, sigurova një koordinim perfekt me të gjithë sektorët përkatës që kishin detyra konkrete në shërbimin personal të Enver Hoxhës. Konkretisht sigurova koordinim me Drejtorinë e Pritjes, e cila kishte detyrën e furnizimit me ushqimet të nevojshme të familjes, pastrueset, bahçevani, kuzhinierët etj. Sigurova koordinim me klinikën speciale të udhëheqjes nga e cila vareshin mjekët, ndihmësmjekët, infermierët, kisha detyrën e sigurimit në kohë të të gjitha medikamenteve të domosdoshme që mund të mbaroheshin në farmacinë personale të familjes, etj. Sigurova koordinim me Drejtorin e Dytë që siç ju shpjegova që bënte ruajtjen e godinave të Komitetit Qendror të Partisë, ku kishte zyrën Enver Hoxha dhe asaj të Kryeministrisë. Pastaj bëra koordinimin me Ministrinë e Mbrojtjes për punën e ndërlidhjes, të cilën kreu i shtetit duhet ta kishte në gatishmëri në çdo çast dhe të ishte në dispozicion kudo që të shkonte.
Në ç'mënyrë?
Por edhe kur lëvizte Enver Hoxha diku mbrapa disi larg makinës së dytë të shoqërimit, rrinte makina e Ministrisë së Mbrojtjes me të gjitha aparaturat e ndërlidhjes si sinjale gatishmërie apo radiot e transmetimit të urdhrave për faktin se ai duhej të ishte në drejtim të shtetit për të marrë situatën konkrete në çdo rrethanë dhe kudo që të ishte. Pra, shkelte sinjalin për të kaluar ushtrinë në gatishmëri lufte në rast rreziku kudo që të ndodhej në rrugë në një rreth të vendit për vizitë apo kudo tjetër. Kështu që ne kujdeseshim ta kishim në gatishmëri. Kjo është ajo që ju thashë, që kishim detyrë ti siguronim kushte optimale për të siguruar shtetin në çdo situatë e rrethanë. Kjo kërkonte koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mbrojtjes nga e cila varej. Por unë atë javë të parë të punës sime organizova një koordinim të mirë edhe me Gardën e Republikës dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe me shumë struktura me qëllimin e sigurimit të të gjitha shërbimeve të Enver Hoxhës në mënyrë të përsosur. Ndërkohë që me shërbimin që kontaktova në atë javë të parë të punës sime u mora me të gjitha istruktazhet e detyrave të çdo shërbimi në veçanti për çdo vendroje. Kështu, kalova javën e parë të punës për të vijuar atë punë për 30 vjet me radhë deri në 11 prill të vitit 1985 kur Enver Hoxha do të ndahej nga jeta. Pas asaj jave kam momentin e bukur të jetës se Enver Hoxha më ftoi në një drekë familjare.
Si ju ftoi?
Por për atë javë si u njoha me detyrat dhe me njerëzit dhe si sigurova kontaktet me strukturat që të thashë ai mesa mendoj donte të tregonte edhe vlerësim, edhe respektin, por edhe një prezantim me familjen të cilës unë isha caktuar ti shërbeja. Në atë drekë folëm rreth temave të ndryshme duke filluar nga ato familjare e deri te historiket, ku në veçanti ai preku historinë e shkëlqyer të Gradecit dhe të gjithë Skraparit. Pas kësaj mu dhanë shumë porosi në lidhje me funksionimin tonë si shërbim personal në atë familje.
Konkretisht?
Së pari foli për thjeshtësinë që duhej të tregonim kudo sidomos në takimet me njerëzit. Kuptova se ishte fjala që ta konsideronim veten si njerëz të thjeshtë të shërbimit dhe të mos të kishim të drejtën të ndërhynim në struktura apo kudo tjetër me statusin se ishim pranë familjes së parë të shtetit. E dyta që më bëri përshtypje, madje edhe gjatë ngrënies ishte për korrektësinë që duhej të tregonim në shpenzime, të cilat duhej të ishin kodo të kursyera dhe jo se ishte mundësia meqenëse nuk të kursente kush dhe neve të mos kishim frenim. Kjo ishte jo për ushqimet, por që te benzina apo materiale që na jepej mundësia ti përdorim për efekt të detyrës. Më dha shumë këshilla, të cilat sinqerisht më kanë vlejtur shumë. Unë pashë që ai në gjithë jetën familjare kishte një rigorozitet në shpenzime dhe kudo. Në çdo gjë ecej me laps të mprehtë si i thonë fjalës. Kështu mbaroi ajo drekë që të pata fjalën dhe që më mbeti në mendje për vetë afrimitetin që tregoi për mua Enver Hoxha. Madje, pas drekës bëmë dhe fotografi në oborr ku aparatin e shkrehu shoqja Nexhmije.
Dhe ju thoni se mund të besohet në opinion se ishit si roje i thjeshtë?
Nuk marr përsipër të mbush mendjen e dashakeqëve se e panë në burgun tim që pas tre muaj hetimesh më liruan në sallën e gjyqit për faktin se nuk gjetën asnjë gjë ku të mund të kapeshin për të më dënuar. Por unë gjithashtu po ju sqaroj se menjëherë si fillova punën dhe mora porositë e Enver Hoxhës, të cilave nuk kishte burrë nëne tu luante sadopak, fillova një procedurë pune të re. Kështu gjithë grupi i shërbimit të tij u vu në një organizim rigoroz. Në këtë mënyrë gjithë personali që nga shërbimi i pastrimit, kuzhinës shoqërimit, shoferët, etj, mblidhej çdo mëngjes ku bënim analizën e punës së 24 orëshit të kaluar. Në atë takim të mëngjesit kërkohej llogari për çdo defekt që mund të ishte hasur nga dita që kishte kaluar. Aty kishte kritika, kishte masa disiplinore etj. Kështu që s'kishte njeri që mund të shkelte rregullat, ashtu si mund të mendoni juve sot, apo të guxonin të abuzonin me pozicionin e punës në ambiente të tjera se s'kishte si ti shmangej ndëshkimit.
Ka pasur raste që keni ndëshkuar?
Patjetër që ka pasur. Kështu unë mund t'ju them për shembull për një rast të Halim Zanos, i cili me makinën e shërbimit që ishte një Gaz Sovjetik çoi disa të afërm në vendlindjen e tij në Mallakastër. Kjo gjë u mor vesh dhe ju dha vërejtje në dokument.
Po juve si kryetar i grupit kishit mundësi të abuzonit sadopak me detyrën? Por dua të më flisni sinqerisht.
(Ndërhyn e shoqja Liria: Ça thua, unë kishte koiçiduar që kaloja në Tiranë nëpër shi të rrëmbyer dhe Sulua kalonte me makinën e punës dhe nuk e mbante të më merrte pavarësisht se kishte rrugën, se do të bëhej problem të nesërmen)
Ashtu është siç thotë ime shoqe Liria. Nuk bëhej shaka të punoje te Enver Hoxha. Aty kishte disiplinë dhe vetëm disiplinë. Unë do t'ju them për shembull një rast të më kuptoni më mirë. Kishte vdekur Teki Veleshnja. Unë do të shkoja me time shoqe në shtëpinë e tij që ishte te 'Rruga e Kavajës', ndërsa shtëpia jonë ishte te 'Rruga e Durrësit'. Për këtë mora makinën e shërbimit një Gaz Sovjetik që përdornim ne atëherë. Pra, ishte nga 'Rruga e Durrësit' te 'Rruga e Kavajës' dhe nuk i shpëtova ndëshkimit. Të nesërmen mu ngrit një analizë dhe gjithashtu në organizatën e Partisë dhe u bë problem i madh. Kështu i nderuar punonim neve në atë kohë, prandaj kam qejf të më quani 'shok' se kemi dalë me duar në xhep dhe s'kemi abuzuar fare.
Pas kësaj vijuat punën. Në atë moment kë gjetët në shërbimin e tij?
Pooo, ( mendohet ) kur shkuam aty gjetëm Axhem Abazin dhe Halim Zanon, të cilët kishin vite të tëra që shërbenin me devotshmëri të madhe pranë tij, por që më vonë për efekt moshe dhe shëndeti, u ndërruan me Behar Zhurdën dhe një shoqërues tjetër.
Edhe në emër të lexuesit, doja të dija saktësisht se sa ishte numri i personelit të shumëpërfolur që ishte në shërbim të Enver Hoxhës?
Nuk është se kanë qenë kushedi sesa siç po pretendohet e thuhet, se kanë arritur të thonë deri në 700 veta eskortë që është turp ta mendosh. (Ngre zërin ) Po ju them me kompetencë që kanë qenë tre shoferë, të cilët ishin Isuf Çoba, si shofer i parë dhe më vonë erdhi Myslim Kore dhe dy shoferë të tjerë ndihmës. Pastaj ishte grupi që bënte shërbim në vendroje që quhej personel sigurimi në banesë. Këtu nuk e kam fjalën për shërbimin e gardës, por për shërbimin e grupit që drejtohej nga unë. Kështu, te banesa brenda hyrjes apo te dera si të thuash bënin shërbim tre oficerë.
Dhe bënin shërbim me radhë?
Po. Këta bënin shërbim me radhë. Pra, njëri bënte shërbim pastaj ndërrohej nga tjetri, kështu që te zyra e tyre e shërbimit që ishte sa kalon derën e shtëpisë rrinte njëri. Ky vend shërbimi që po ju flas, ishte brenda derës së shtëpisë kur fillon korridori. Që ta kuptosh më mirë, ishte si punë dezhurni. Ishte një zyrë e përshtatshme anë derës ku ai oficeri që bënte shërbim aty kishte para telefonat, ndërlidhjen e radios, sinjalistikën e alarmeve e pajisje të tjera etj, që mund ti nevojiteshin Enver Hoxhës për ti dhënë mundësinë si Komandant i Përgjithshëm dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, të kalonte në kontakt të menjëhershëm me ushtrinë dhe me strukturat më të larta të shtetit në çdo situatë që mund të paraqitej. Pra, ai të kishte mundësi të drejtonte shtetin. Veç detyrës për të mbajtur në gatishmëri të aparaturave dhe instruktimin që kishin për të lidhur Enver Hoxhën me çdo strukturë dhe në çdo moment, oficerët e atij shërbimi bënin ndërkohë ndërlidhjen e njerëzve që vinin në takim në familje apo përcillnin direkt te ai porosi apo mesazhe të veçanta të lëna për interes të punës nga telefonues të rëndësishëm.
Si për shembull?
Ata së pari prisnin telefona nga shokët e tij nga byroja, të cilët në shumë raste nuk donin ta merrnin direkt se ishte në kushte shtëpie dhe për efekt qetësie e linin mesazhin te oficeri i shërbimit të brendshëm dhe ai e transmetonte te Enveri. Por në shumë raste ai oficer e rimerrte personalitetin nga erdhi njoftimi dhe i thoshte se tashmë shoku Enver ka dalë nga dhoma e pushimit dhe është në dhomën e punës dhe mund ti telefononi. Pra, mbante ndërlidhje të kësaj natyre. Kur vinte dikush që i kishte caktuar pritje Enver Hoxha, ai e priste te dera e hyrjes dhe e shoqëronte në ambientet e shtëpisë ku kishte kërkuar Enveri, në sallon, në dhomën e pritjes, në verandë etj.
Si e dinte oficeri që ishte në hyrje te korridori se ku po e priste vizitorin Enver Hoxha?
Në shumë raste, ai merrte në telefon dhe i thoshte se do të vite filani në këtë orë dhe ta shoqëronte për në këtë ambient të shtëpisë ku do ta priste.
Pra ata ishin tre veta që bënin shërbim aty, por njëri rrinte në vendin e shërbimit?
Po e bënin me turne se njëri duhej, por ishin të instruktuar tre veta, sepse vetëm ata të tre bënin aty pasi ata siç e mësuat, kishin detyrën që hynin si të thashë edhe në ambientet e brendshme të shtëpisë kur shoqëronin dikë. Kjo kërkonte që ata duhej të dinin mirë detyrat e tyre dhe nuk duhej të ngatërroheshin me detyrat e vendrojave të tjera. Pra, siç e shikoni edhe vetë detyra e tyre kishte specifika shumë të veçanta.
Vendroja tjetër ishte te dera e jashtme?
Jo, nuk kishte te porta e oborrit, pasi ajo ruhej në kompleks me gjithë bllokun, pasi ajo vëzhgohej nga vendroja që ishte në krye të rrugës, i cili mbikëqyrte të gjithë rrugën. Ndërsa një vendroje tjetër ishte te hyrja sekondare e banesës që ishte afër shtëpisë së Hysni Kapos. Andej hynte personeli, hynin fëmijët etj.
Edhe kjo ishte vendroje me oficer civil që varej nga juve?
Të gjitha këto që ishin në familje vareshin nga ne. Edhe kjo ashtu ishte. Të tjerat pastaj, e kam fjalën për lloje shërbimesh ekstra siç ishin i kuzhinierit, pastrueses, bahçevanëve etj, i kishte drejtoria e pritjes apo mjekët që vareshin nga klinika speciale e udhëheqjes, etj. Pra, për të ta saktësuar edhe një herë shkurt nga sa ju shpjegova, se e shikoj që nuk po e qartësoni mirë situatën e vendrojave, po ju them se ishte vendroja numër "Një", e cila ishte në hyrje të banesës saktësisht brenda korridorit të shtëpisë së Enver Hoxhës. Ishte vendroja numër "Dy", që ishte këtej nga hyrja sekondare që vjen nga mbrapa. Ai kontrollonte vetëm lëvizjet në atë krahë. Ishte gjithashtu edhe një vendroje tjetër në cepin tjetër që binte nga hyrja e Hysni Kapos. Pastaj ishin vendrojat e gardës që siguronin bllokun e banesave të udhëheqjes në kompleks. Por këta të gardës ruanin bllokun në kufi të tij ndërsa brenda tij nuk kishte.
Sa ushtarë ka pasur garda te banesa e Enver Hoxhës?
Garda nuk kishte fare aty. Kishte një vendroje tutje te Mehmet Shehu andej nga vjen nga Kryeministria që ishte për të parë rrugën në gjatësi, ndërsa aty rreth shtëpisë nuk kishte ushtarë. Kishte larg në rrugët gjatësore dhe në krye të rrugëve. Ishin aty në hyrje kur vinte nga shtëpia e Adil Çarçanit apo këtej te rruga tjetër që vije te shtëpia e Manush Myftiut. Ja këto ishin. Pra, në distancë që kontrollonin hapësirën gjatësore të Bllokut. Kryesisht rrugët.
Po lulishtar kë kishte?
Ishte një me Cen. Kështu quhej se mbiemri i tij tani nuk po më kujtohet. Mbaj mend që banonte te Rruga e Elbasanit. Ceni ishte i talentuar, por edhe njeri shumë i mirë. Shumë herë kur Enver Hoxha dilte në lulishte për shëtitje thërriste Cenin dhe flisnin shumë për lulet se ai i kishte shumë dobësi lulet sidomos trëndafilat.
Po punonjës?
Po ka pasur kuzhinier. Dikur ka pasur Niko Xherahun, i cili vdiq nga një sëmundje e rëndë. Pas Nikos, ka ardhur Miço Madhi, i cili shërbeu deri në fund. Kishte një infermiere që quhej Kostandina Naumi. Ajo ishte "Heroinë e Punës Socialiste". Kostandina kishte një kohë shumë të gjatë aty dhe ajo mbante me rigorozitet gjithë regjimin e barnave dhe ushqimit të tij. Nuk jeton më, ka vdekur në Amerikë. Ajo ishte shumë e lidhur dhe shumë e saktë me punën. Mbante një dosje të përsosur dhe ndiqte me fanatizëm ekstrem gjithë shëndetin e tij. Enveri kishte shumë besim te ajo. Kishte pastaj një grua për këta fëmijët e gjirit.
Dado?
Po dado. Kishte ndërkohë dy-tre pastruese, të cilat ishin në punë të përcaktuara. Njëra quhej Refie Lala, e cila ishte e shoqja e Kanan Lalës, që të thashë pak më parë se ishte oficer shërbimi te korridori i katit të parë. Kjo ishte pastruese në dhomën e gjumit dhe në ambientet e shtëpisë. Si Refua s'kishte. Enveri i ka shkuar dhe në shtëpi Refos.
Ndërkohë ka pasur edhe mjekët e tij personal?
Mjeku i shërbimit të tij ka qenë fillimisht Fejzi Hoxha, i cili ishte edhe mjek i klinikës së udhëheqjes edhe mjek i familjes, Nikolla Shurbani, Hektor Peçi, më mbrapa ka qenë Isuf Kalo. Isufi dhe Hektori kanë pasur mundësinë të specializohen për diabetin edhe jashtë shtetit si në Kinë apo Francë .
Pra këta emra kanë qenë te Enver Hoxha?
Po ju saktësoj edhe një herë që në vite dhe periudha të ndryshme, ka pasur emra të ndryshëm, sepse dikush vinte dikush ikte, pasi sipas viteve dikush është sëmurë madje ka vdekur, dikush ka dalë në pension. Tani unë po ju përmend disa nga emrat e grupit të sigurimit, të cilët kanë punuar në periudha të ndryshme si: Axhem Abazi, Behar Zhurda, Halim Zano, Maksi Molla, Kadri Bregu, Rustem Hodoja, Shefqet Korbeci, Novruz Spahiu, Llazi Rovina, Dashnor Andoni, Fari Bufi etj. Ja pra se si ishte organizuar shërbimi i Enver Hoxhës dhe sa ishin në dispozicion. Se çfarë s'kemi dëgjuar dhe dëgjojmë. Është thënë se ka pasur tunele që dilte aty e dilte këtu. Është thënë se ka pasur në dispozicion batalione 700 vetësh. Është thënë se kishte pishina për ujkende etj, etj. Të thuash ti se në atë familje qenka bërë qameti.
Pse nuk ka asgjë të vërtetë?
Janë të gjitha përralla. Broçkulla të pabesueshme. Absolutisht jo. Janë të gjitha shpifje dhe intriga të turpshme në të cilat ka marrë pjesë gjerësisht media. Nuk thuhet e vërteta ashtu siç ka qenë. Unë shikoj se sa jehonë u bëhet këtyre broçkullave të median e Sandër Frangajt. Nuk e di si ndryshoi ai njeri kur Berisha e futi në burg dhe çfarë si punoi. E mbaj mend mirë kur hyri në burg.
Ku ishit juve që e mbani mend?
Por edhe unë në burg isha futur. Na futi Berisha se i kisha shërbyer Enver Hoxhës. Mbaj mend kur e futën Sandrin, e sollën pikërisht ngjitur qelisë sime. I bënin një presion të jashtëzakonshëm, madje i afronin edhe spiunë. E futën nën një terror sfilitës. Madje, mbaj mend në një moment kur mua mu dha mundësia të kaloja në korridor, shtyva sportelin e qelisë së tij dhe e pashë si ishte strukur në fund të saj. I fola,
- Si je? A po e mban veten?
- Mirë - më tha, si të jem.
- Bëj kurajë dhe mblidhu - i thash.
Ndërsa tani i bie trumbetave të Berishës e Isuf Kalos, të cilin e kam pasur mik, por dolën këta që janë.
Ç'hyn Isuf Kalo këtu?
Sepse ai dhe shumë të tjerë kanë dëshmuar gjëra të paqena te librat e famshëm të Blendi Fevziut. Është mik i ngushtë i Berishës dhe ka tridhjetë vjet që nuk më ka telefonuar njëherë, ndërkohë që kemi qenë miq, madje të afërt. E ndërsa unë futem në qeli ku përdhosem se i shërbeva Enver Hoxhës për të cilën nuk jam penduar se kam pasur detyrën dhe i kam shërbyer popullit, ai Isufi me shumë të tjerë që kanë shërbyer dje, sot vijojnë të mbjellin të tjera gjëra.
Pse s'ishit dakord nga sa është thënë në librin e Fevziut?
Ka shumë gjëra të paqena. Pastaj janë përdorur vetëm një pjesë e arkivave për të nxjerrë me qëllim denigrim të figurës së Enver Hoxhës. Unë e di mirë se ato arkiva i kam sistemuar vetë për dy vjet pas vdekjes së Enverit dhe i kam dorëzuar me dorën time në arkiv me procesverbale të rregullta dhe me komision të posaçëm shtetëror. Madje të gjitha planet filmike për jetën private të Enverit, që përdoren në emisionet e Fevziut, janë bërë nga unë. Por ju thashë, i ndihmuar nga disa njerëz të veçantë, arrijnë me një qëllim të paracaktuar që të denigrojnë figurën e Enverit, pasi nuk e marrin në kompleks. Ju si gazetarë e patë sa njerëz kishte në shtëpi, jua tregova kur e vizituam. Jua tregova vendrojat dhe gjithçka tjetër që lidhet me shtëpinë e tij. Patë gjë ku ishte pishina? Ku ishin tunelet që të nxirrnin aty e këtu si në përrallat me mbret? Ku ishin bodrumet e nëndheshme? Ç'janë këto more. Përse nuk thonë të vërtetën këta njerëz? Po thuaj atij Blendi Fevziut se përse nuk pyet Berishën apo mikun e tij Isuf Kalon, që kanë qenë në ato ambiente, se ku janë tunelet dhe budallallëqet e tjera që shkruhen nga dëshmitë e njerëzve të papërgjegjshëm. Thuaji ti thotë Berishës se a kalon dot nga Kryeministria nëpër tunele të hyjë në bllok e ku di unë çfarë?
Por mund të na tregoni juve për sa flasim dhe për çfarë flasim?
Patjetër që do t'ju sqaroj juve dhe gjithë opinionin.
(Vijon nesër ) 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›