E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, dështon autonomia financiare

11/04/2005  Nga taksat e studentëve shteti merr 10 për qind, ndërsa nga të ardhurat e universitetit 40 për qind

Autonomia financiare e Universiteteve ka dështuar. Një prej pikave që prej viteve po luftojnë Universitetet, dhe që u duk se u arrit pas protestave të dhjetorit të pedagogëve nuk u zgjidh. Pra, përsëri Universitetet nuk kanë autonomi financiare.

Të ardhurt, që mblidhen nga studentët

Sipas ligjit të ardhurat dytësore të Unviersiteteve, ndahen 10 për qind për buxhetin e shtetit dhe 90 për qind i shkojnë vetë universiteteve. Por, pedagogët mendojnë se universitetet nuk duhet të trajtohen as 10 për qind, pasi nuk janë ndërmarrje fitimprurëse, e as prodhuese, ky tatim mund të jetë më i ulët, ose të hiqet.

“Këto të ardhura mblidhen nga taksa e studentëve, dhe nuk është e udhës që të mos përdoren për investimet në Universitet dhe në dobi të studentëve. Por, për të fituar autonominë financiare, nuk mjafton vetëm një marrëveshje me qeverinë, por duhet të ngrihen Këshillat Administrativë dhe jo me 5-6 veta si tani, por me më tepër. Duhet riorganizuar krejt struktura e Universiteteve”, thotë Ismail Hoxha, Shefi i Profesoriatit të Universitetit Politeknik dhe njëkohësisht, kryetari i komisionit të grevës së zhvilluar gjatë dhjetorit.

“Autonomia është një rrugë pa kthim tashmë. Kjo nuk varet më nga vullneti i individëve. Tatimi i shtetit 10 për qind është absurd, megjithëse ne na jep një fond qeveria për investimet, por, ky fond është i papërfillshëm krahasuar me atë çfarë na merr”, ka thënë Rektori i Unviersitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj.

Të ardhurat që krijon vetë universiteti

Ka të ardhura që krijohen nga vetë Universiteti, për shërbimet që ai kryen. Ato janë të ardhura nga shtypja e teksteve mësimore dhe leksioneve, nga qendrat mësimore eksperimentale dhe didaktike, nga tarifa për dhënien me qera të ambienteve të lira në Universitete dhe shkolla të larta. Sipas një vendimi numër 424, i datës 09.07.1998, ky raport është: 40 për qind e të ardhurave shkon në buxhetin e shtetit dhe 60 për qind i mbeten Universitetit.

Senati kundër urdhërit

Në mbledhjen e fundit të senatit të Unviersitetit Politeknik, u diskutua mbi përdorimin e të ardhurave që krijohen nga vetë Universiteti. Por, asnjë prej propozimeve të paraqitura nga fakultetet nuk u miratua, për faktin se do t’i kërkojnë sërisht qeverisë që të ndryshojë këtë raport, i cili duke qenë Vendim Qeverie, nuk mund të ndryshojë me anë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›