Milo prezanton kandidatët në Korçë
11/04/2005 Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ka kërkuar trajtim të barabartë mes partive të majta në rast se këto forca politike, do të hyjnë së bashku në zgjedhje. Këto komente, kryetari i PDS-së, i bëri gjatë një takimi në rrethin e Korçës, ku ka prezantuar kandidatët për deputet të partisë së tij. Petraq Premti, Maksi Fejzullahi, Kujtim Çaushllari, Servet Xhuti, Vladimir Cukolli, janë emrat që do të konkurojnë për PDS. “Ne kemi shprehur rezervat tona në lidhje me këtë formë bashkëpunimi. Nuk jemi të bindur nëse do të ekzistojnë mekanizmat dhe garancitë e duhura, që kjo marrëveshje të zbatohet realisht në praktikë. Nuk jemi ende të bindur që ky koalicion zgjedhor do të mund të ndërtohet ndërmjet disa partive të majta të politikës shqiptare, dhe të ketë garancinë se do të ketë trajtim të njëjtë dhe jodiskriminues. Pra, duhet të jetë një marrëveshje që të respektojë të gjitha subjektet politike në të njëjtën mënyrë, dhe të ketë një harmoni midis këtyre forcave. Ne nuk do të ngutemi për të dhënë pëlqimin tonë, mbi të gjitha ne duam garanci që kjo marrëveshje është e barabartë dhe ka partneritet të ndershëm“, tha Milo.