E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkë me to, procedohet penalisht në gjendje të lirë edhe një inspektore e Sigurimeve Shoqërore

Pensionet false kanë dërguar për ndjekje penale 11 femra, dhjetë nga të cilat kanë përfituar pension me dokumente të rreme, ndërsa një prej tyre është punonjëse e Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Mekanizmi për pensionet false ka qenë si herët e tjera, duke falsifikuar moshën dhe vendin e punës. Sipas të dhënave, operacioni për identifikimin dhe goditjen e këtij fenomeni u realizua nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burimet policore shpjeguan se ka qenë një hetim gjashtëmujor që ka çuar në zbulimin e këtyre rasteve.
Specialistët e hetimit të këtij rasti shpjegojnë se fillimisht nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Elisabeta S., 56 vjeçe, banuese në Tiranë, inspektore në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Sipas dosjes së dërguar në prokurori, ajo dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, u ka dhënë pension në mënyrë të paligjshme disa shtetaseve. Policia tha se dosja penale në ngarkim të saj është dokumentuar nëpërmjet dokumenteve të lëshuara prej saj në kohën kur ushtronte detyrën si inspektore.
Ndërkaq, për ndjekje penale në gjendje të lirë janë dërguar edhe përfitueset. Burimet policore shpjeguan se disa prej tyre kanë falsifikuar dokumente për moshën e vërtetë të tyre, ndërsa disa të tjera për vendin e punës ku kanë punuar. Gjithashtu, po punohet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, ku gjatë dy viteve të fundit policia ka realizuar disa operacione me goditjen e shumë personave të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›