E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt në arkiv

Pas shuarjes së KB Prishtinës, ‘Plisat’ nuk kanë nevojë të mendojnë më se ‘ku t’i lënë kupat’. Sipas Federatës së Basketbollit të Kosovës, në arkivin e saj do të ruhen rekord titujt e klubit tashmë të mbyllur. Kurse, klubi i ri kryeqytetas, Prishtina BC synon të shkojë rrugës së KB Prishtinës. Nga Valon Konushevci më 21 shtator 2011 në ora 12:01

KB Prishtina, tashmë e shuar, ishte krenaria e kryeqytetit të Kosovës, në sportin e basketbollit. Nëse basketbolli i Kosovës kishte gjigant, atëherë klubi bardhekaltër ishte ai.

KB Prishtina ishte skuadra më e trofeshme kosovare. Madje, tifozët e saj ‘Plisat’ gjithnjë mbanin në tribunën e tyre një transparent me mbishkrimin “S’po kena ku me i lanë kupat”. Në njëfarë mënyre, ata kishin të drejtë, sepse klubi i tyre kishte marrë trofe me bollëk.

Vetëm në periudhën e pasluftës, sipas Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), KB Prishtina i kishte rrëmbyer 20 trofe. Bardhekaltrit i kishin fituar tetë tituj të kampionit, tetë kupa të Kosovës, tri superkupa dhe një kupë të ish-Ligës Profesionale.

Mirëpo, atë që nuk e bënin prej vitesh skuadrat e tjera kosovare nëpër gara kampionale, e bëri borxhi, i cili e ndali klubin kryeqytetas, por në aspektin e funksionimit. Për shkak të borxheve të mëdha, kuvendarët ia vënë drynin klubit të tyre.

Kështu që, gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe gjithë Kosovës, sigurisht se u intereson se çfarë do të ndodhë me historinë e bujshme të KB Prishtinës, pas shuarjes së saj? Ku do të mbesin gjithë ato trofe që i kishte rrëmbyer ky klub? Këtyre pyetjeve i përgjigjet sekretari i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Nazmi Paçarada.

“Sipas rregulloreve në fuqi të FBK-së, titujt e klubit të shuar, KB Prishtina, do të mbesin në arkivin e FBK-së. Meqenëse ai veç ka ekzistuar si klub, atëherë KB Prishtina vazhdon të mbetet si klubi më i suksesshëm”, deklaroi Paçarada për Express.

Me shuarjen e KB Prishtinës, lindi klubi i ri kryeqytetas me emrin Prishtina BC. Kjo e fundit nga edicioni i ri, në njëfarë mënyre do ta ‘zëvendësojë’ KB Prishtinën në Superligë.

Por, kjo nuk do të thotë se Prishtina BC do ta trashëgojë historinë e KB Prishtinës. “Titujt e KB Prishtinës mbesin në arkivin e FBK-së dhe ato nuk mund t’i takojnë Prishtinës BC, apo dikujt tjetër”, tha Paçarada.

Për këtë janë të vetëdijshëm edhe udhëheqësit e klubit të ri, Prishtina BC. “Prishtina BC nuk ka të bëjë asgjë me KB Prishtinën. Prishtina BC është klub i ri, tepër mirë i organizuar, i cili në çdo vit do të synojë t’i fitoj të gjitha trofetë në basketbollin e Kosovës”, deklaroi për Express, anëtari i Bordit të Prishtinës BC, Artan Rugova.

“KB Prishtina, tashmë e shuar, ka qenë e Komunës së Prishtinës. Trofetë e KB Prishtinës i takojnë Komunës së Prishtinës. Komuna e Prishtinës bën çfarë të dojë me ato trofe, të saj janë”, thotë Rugova.

Pas shuarjes së KB Prishtinës, ish-sponsori gjeneral i saj, Sigal, sipas Rugovës, ka vendosur ta mbështet klubin e posathemeluar, Prishtinën BC. “Andaj, klubi i ri tash e tutje do të quhet Sigal Prishtina BC”, tha ai.

Ai konfirmoi se pas shuarjes së KB Prishtinës, tashmë ish-trajneri i saj dhe gjithë ish-basketbollistët kanë vendosur të kalojnë në Sigal Prishtina BC. “Ata kanë shprehur vullnetin e tyre t’i shërbejnë basketbollit të kryeqytetit, duke iu bashkuar klubit të ri, Sigal Prishtinës BC”, përfundoi Rugova.

Ndërkohë, mbetet të shihet nëse Sigal Prishtina BC, do ta ketë përkrahjen e tifozëve të zjarrtë të kryeqytetit, ‘Plisave’, të cilët vazhdimisht e mbështetnin KB Prishtinën, tashmë të shuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›