E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramozi në alarm, nuk ka portier për ndeshjen e së shtunës

Nga Kristi Lilo

Kolonjarët janë të indinjuar me gjykimin e kryesorit Hoxha, i cili vazhdoi lojën, kur portieri Dervishi u ça në kokë

Humbja me shifrat e thella 4-0 i ka shokuar tifozët kolonjarë, por, për ata që e kanë ndjekur ekipin, Gramozi ka pasur kundër gjykimin edhe në Gjirokastër. Ata janë të bindur se gjykimi kryesorit Hoxha ishte i njëanshëm dhe këtë e argumentojnë me rastin e golit të dytë të gjirokastritëve. Në atë rast, portieri Dervishi ka qenë i shtrirë, për të përfunduar më pas në spital në gjendje kome, ndërsa gjyqtari ka vazhduar lojën, duke i dhënë mundësi ekipit vendës të shënojë golin e dytë në portën pa portier.

Trajneri Qirjako është detyruar të hedhë në fushë një portier të ri, që ka luajtur takimin e parë zyrtar me Gramozin. Pas kësaj humbjeje kolonjarët zbresin edhe një shkallë në klasifikim, duke i vënë në alarm drejtuesit e klubit për paraqitjen e dobët që po bën ekipi, pavarësisht ndëshkimit nga gjykimet e njëanshme. Drejtuesit dhe  futbollistët e Gramozit janë tepër të indinjuar dhe pohojnë se ekipi i tyre u ndëshkua qëllimisht nga gjyqtari Hoxha.

Sulmi Duke e lënë mënjanë gjykimin, stafi teknik I Gramozit ka kritikuar përsëri sulmuesit, të cilët duken të pafuqishëm për të shënuar. Nga burime pranë klubit mësohet se stafi teknik ka qenë mjaft i ashpër me sulmuesit.

Portieri Ajo që shqetëson më shumë aktualisht është dëmtimi i portierit Fatjon Dervishi. Trajneri Qirjako duhet të mendojë për të gjetur zëvendësuesin e tij për takimin e rëndësishëm me Lushnjën në fundjavë. Nëpërmjet linjës telefonike, portieri Dervishi, i cili ndodhet i shtruar në spital, ka deklaruar se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar, por nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës.

Ai është dëmtuar në kokë dhe çarja është e madhe, kështu që i duhet jo pak kohë për të qenë gati për lojë. Kolonjarët nuk e kishin menduar kurrë se gjirokastritët do të luanin aq rëndë, pasi me ta kanë marrëdhënie shumë të mira.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›