E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, e gjithë vëmendja te finalja me Gramozin

Nga Julian Kasapi

Lushnjarët vazhdojnë të fitojnë, por përsëri mbeten në vend të 4-t. Ndeshja e radhës ka marrë rëndësi shumë të madhe

Lushnjarët e kanë nisur javën stërvitore nën reshjet e shiut dje pasdite, pra në terren të rënduar, përpos që fusha e stadiumit Roza Haxhiu lë për të dëshiruar aktualisht. Kanë kaluar plot 8 vjet nga vendosja e tapetit në këtë stadium dhe normalisht ai është konsumuar. Gjithsesi, vëmendja është e gjitha te ndeshja e radhës, që është mjaft e vështirë, sepse do të luhet në transfertë me Gramozin, që vjen pas dy humbjesh dhe do të përpiqet të reagojë.

Pozicioni Fitorja me Gramshin në stadiumin Roza Haxhiu e ka rritur edhe më tepër optimizmin e verdhejeshilëve, por edhe ka shtuar oreksin, sepse në tabelën e klasifikimit asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pse Lushnja ka 6 fitore radhazi. Rivalët kanë fituar, madje edhe jashtë fushës së tyre, ndaj dhe lushnjarët çdo ndeshje e konsiderojnë finale, që duhet fituar për ta arritur objektivin.

Ndeshja me Gramshin tregoi edhe një herë tjetër aftësitë e skuadrës myzeqare, që prodhon lojë e raste të shumta, që në fakt pak i shfrytëzon. Në këtë moment është shumë e rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga trajneri Malko që është kthyer besimi te tifozët, të cilët ishin të shumtë ditën e diel në stadium.

Stafi teknik Nga ana e tij, stafi teknik i lushnjarëve nuk është edhe shumë i kënaqur nga skuadra. Të gjithë mendojnë se Lushnja duhet të bëjë shumë punë në lidhje me sulmin, pasi nuk arrin të shfrytëzojë rasteve të krijuara. Për këtë temë është diskutuar thuajse gjatë gjithë analizës së fitores me gramshiotët. Kundërshtari luajti për shumë minuta në inferioritet numerik, por përsëri Lushnja nuk mundi të arrinte një fitore të thellë, pasi rastet i kishte.

Përsëri ka qenë Mikel Canka ai që ka zhbllokuar rezultatin, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë. Ishte një eurogol ai i Gjonit në pjesën e dytë, por ka pasur edhe shumë raste të pastra, që janë humbur me lehtësi. Skuadra lushnjare merr kështu falënderimet e tifozërisë së saj besnike, që po shtohet çdo ditë e më shumë në numër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›