Partizani kalon Turbinën pasi mbetet me 10 vetë
Të kuqtë realizojnë një fitore me përmbysje ndaj cërrikasve dhe marrin sërish kreun në grupin B, një javë para mbylljes së fazës së parë
PARTIZANI TURBINA 2-1
Shënues: Batha 57 (11-m), Xhafa 75 / Basriu 12
Partizani: Nasufi, Çullhaj, Bozha, Miska, Bleta, Gjeçi, Batha (Gega 89), Xhafa (Arifaj 78), Lleshi (Verli 85), Alcani, Ahmetaj. Trajner: M. Pelinxhi
Turbina: Gjergji, Zeneli, Metaj, Koçi, E. Miraka, Mustafaj (Duro 86), Isaraj, Xhelili, (Kamami 71), Rrapushi, Xhafa, Basriu. Trajner: E. Belshi
Gjyqtarë: R. Pjetrushi, E. Muça, P.Simoni (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Miska, Xhafa, Lleshi, Alcani / Rrapushi
Kartonë të kuq: Alcani
PartizaniTurbina mbylli javën e 10-të Grupit B në kategorinë e dytë, takim i cili u zhvillua në stadiumin Selman Stërmasi dhe u mbyll me fitoren 2-1 të demave të kuq. Përpara fillimit të ndeshjes u mbajt një minutë heshtje. Kjo ishte kryendeshja e grupit, pasi të dy skuadrat kërkonin fitoren për të marrë kreun. Ishin miqtë nga Cërriku ata që e nisën më mirë takimin, duke shfaqur më shumë dëshirë për fitore. Turbina në minutat e para ishte e qartë në veprime dhe e gjen golin që në minutën e 12-të.
Mustafaj nga këndi lëshon një top në zonë dhe kapiteni cërrikas Mikel Basriu më kokë shënon, 0-1 për Turbinën. Rasti i parë i rrezikshëm për Partizanin vjen në minutën e 18-të me anë të një goditjeje dënimi të gjuajtur bukur nga Miska, por grushton portieri Gjergji. Gjithsesi, janë miqtë nga Cërriku ata që diktojnë në fushë, ndërsa të kuqtë kanë kontestime të vazhdueshme për gjykimin. Pjesa e parë mbyllet me fitoren 1-0 të Turbinës.
Por në pjesën e dytë kemi një tablo ndryshe, pasi janë të kuqtë ata që e marrin iniciativën që në fillim, duke e shtuar presionin në drejtim të portës mike. Në minutën e 55-të Lleshi nga e majta e sulmit të Partizanit manovron bukur, hyn në zonë, por ndalet nga ndërhyrja e Rrapushit dhe gjyqtari Pjetrushi akordon 11-metërsh. Cërrikasit kanë pretendime, pasi sipas tyre, ndërhyrja ishte jashtë zone.
Në minutën e 57-të Batha merr përsipër gjuajtien nga pika e bardhë dhe realizon, 1-1. Në minutën e 69-të Alcani proteston tek gjyqtari Pjetrushi, pasi pretendon për një top të prekur me dorë nga miqtë. Gjyqtari i jep karton të verdhë, që është i dyti për Alcanin dhe në këtë mënyrë Partizani mbetet me 10 vetë.
Ndonëse në disavantazh numerik të kuqtë gjejnë forca, duke diktuar ndaj miqve dhe në minutën e 75 gjejnë golin e dytë me Xhafën. Lleshi nga këndi lëshon një top në zonë dhe Xhafa shënon, 2-1 për Partizanin. Edhe në këtë rast ka kontestime, pasi pretendohet se Xhafa e goditi topin me dorë e jo me kokë. Me vështirësi, por demat e kuq arrijnë të marrin një fitore duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë dhe me një lojtar më pak marrin sërish kreun në grupin B në kuotën e 21 pikëve.
Tifozët kontestojnë çmimet e biletave
Ndonëse bëhej fjalë për një ndeshje të kategorisë së dytë, takimin e kanë ndjekur mbi një mijë tifozë, ku nga këta 200 kishin udhëtuar nga Cërriku. Por tifozët kanë pasur kontestimet e tyre rreth çmimeve të biletave, pasi administrata e stadiumit kishte nxjerrë në treg bileta me çmim 300 lekë, që ishin të vlefshëm për të dy tribunat. Partizani nuk pagoi që të luante dje, por biletat u menaxhuan nga administrata e stadiumit.
Fundi i ndeshjes sjell tension, cërrikasit përplasen me policinë
Fundi i ndeshjes ka sjellë pështjellime në stadium, ku pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit mjeku dhe zv.trajneri i Turbinës i drejtohen tribunës së tifozëve me ofendime. I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, që i largon për krahësh nga fusha. Në këtë moment kemi një vërshim të lojtarëve miq, ku ndonjëri mori guxim edhe të vërë dorë mbi policët. Nga përplasjet mes policëve dhe pjestarëve të Turbinës pati edhe të lënduar, ku një lojtar pësoi një çarje dhe u dërgua në spital.
Miqtë thyen edhe disa xhama në dhomat e zhveshjes. Policia nuk lejoi që drejtuesit e Turbinës, që ndodheshin në tribunën VIP, të hynin në dhomat e zhveshjes. Ky veprim e tensionoi më shumë situatën, pasi presidenti Gentian Gjoka dhe kryetari bashkisë, Servet Duzha, shfaqën pakënaqësi ndaj forcave të rendit dhe zyrtavë të FSHF-së. Drejtuesit vendosën që ekipi të ngujohet në stadium në shenjë proteste, por në fund u larguan dhe thanë se do të protestojnë para FSHF-së dhe do të bëjnë reklamim.
Gjithashtu, ka pasur edhe një përplasje mes presidentit të Turbinës, Gentian Gjoka, dhe sulmuesit të Partizanit, Alert Alcani. Policia nuk ka lejuar që pas ndeshjes një operator i ardhur nga Cërriku të xhirojë ngjarjen, madje ai është larguar me forcë. Në fund drejtuesit cërrikas u kanë lëshuar ultimatum drejtuesve të kuq që të mos udhëtojnë në Cërrik në fazën e dytë.
