Redon Lila: Po vjen Naftëtari i vërtetë
Fitorja me Tepelenën ishte mjaft e rëndësishme për Naftëtarin. Ajo është siguruar që në pjesën e parë, falë golave të talentit 19-vjeçar Redon Lila, i cili konfirmohet si goleadori i kuçovarëve, me 5 gola deri tani. I rëndësishëm është fakti, që Naftëtari ka fituar ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në luftën për në kategorinë e parë.
Në fakt, fitorja mund të ishte më e thellë, nëse do të shfrytëzoheshin rastet e shumta që kuçovarët krijuan gjatë ndeshjes. Për kuçovarët nuk është ndeshja e parë që shpërdorojnë raste të panumërta, faktor që ka ndikuar jo pak në pozicionin aktual të tyre në renditje. Naftëtari është ngjitur më lart dhe është konfirmuar si një nga pretendentët kryesorë për kategorinë e pare, pvarërësisht se distanca me Partizanin kryesues nuk ka ndryshuar edhe pas javës së parafundit të fazës së parë.
Në kampin kuçovar shpresojnë që gjatë fazës së dytë gjërat të shkojnë më mirë. Llogaritë mund të bëhen më mirë pas ndeshjes me Domosdovën në transfertë, që parashikohet e vështirë, por jo e pamundur për tu kaluar me sukses.
Lila Redon Lila, autori i dygolëshit në ndeshjen me Tepelenën, thekson se Naftëtari e meritoi fitoren, pasi ishte më lart se kundërshtari: ”Fitorja me Tepelenën ishte bindëse dhe e merituar. Kishim përballë një skuadër të fortë dhe të mirorganizuar, një rival të drejtpërdrejtë, por e zgjidhëm shpejt ndeshjen. Ndoshta duhej të shënonim më shumë, sepse kishim shumë raste, por duhet të jemi të kënaqur me 3 pikët.
Jemi ngjitur në tabelë dhe kemi pretendime serioze për kreun. Duhet ti bëjmë një mbyllje sa më të mirë fazës së parë. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë me Domosdovën, por do ta kërkojmë me ngulm rezultatin pozitiv. Naftëtari është rritur shumë dhe besoj se i kemi mundësitë për të marrë pikë në Përrenjas, ka thënë sulmuesi Lila.
