Buxheti, sot debati te ligjet
Pas miratimit në parim, buxheti i rishikuar rikthehet sërish në komisionet parlamentare për t`u diskutuar, përpara se të votohet nen për nen dhe në tërësi. Komisioni i ligjeve do të zhvillojë sot seanca dëgjimore me rreth 10 institucione, të cilat do të japin komentet e tyre për shkurtimet në buxhet. Institucione si: Presidenca, Ministria e Drejtësisë, zyra e Buxhetit të Gjyqësorit, KLD-ja, gjykata Kushtetuese, shkolla e Magjistraturës, Prokuroria, Avokati i Popullit, Ministria e Brendshme, do të vijnë në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve dhe të shprehin pretendimet e tyre për shkurtimin e fondeve në buxhet. Deputetë të opozitës kanë kërkuar të vijnë titullarët e institucioneve të pavarura, për të raportuar për shkurtimet në buxhet. Por kërkesa e opozitës është pranuar pjesërisht. Raportime do të ketë edhe në komisione të tjera parlamentare. Në komisionin e sigurisë do të raportojnë Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes, të cilat paraqesin nëse shkurtimet në buxhet prekin sigurinë kombëtare të vendit apo jo.