Oketa: “Brenda 2010-s të kemi një ushtri tërësisht profesioniste”
Tiranë - “Forcat e Armatosura Shqiptare janë të përgatitura për të vazhduar reformat e kërkuara, për të vazhduar kontributin e tyre si dhe për të përmirësuar marrëdhëniet ndërkombëtare”. Kështu është shprehur dje ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë konferencës me temë: “Roli i Forcave të Armatosura në Bashkëpunimin Ndërkombëtar”, organizuar në ambientet e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë. Kjo konferencë ishte konceptuar në formën e një leksioni informues mbi rolin që kanë Forcat e Armatosura në Aleancën Euro-Atlantike dhe në bashkëpunimet në operacionet paqeruajtëse nëpër botë. Leksioni u mbajt nga Gjen. brigade Aldo Pikoti, shef i Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, rikonfirmoi përgatitjen e Forcave të Armatosura shqiptare për të vazhduar me reformat e kërkuara, për të përmirësuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fjalën e tij mbajtur në këtë konferencë, ministri Oketa u ndal në anëtarësimin së shpejti me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Objektivi ynë është që brenda 2010-s të kemi një ushtri tërësisht profesioniste”, - u shpreh ministri Oketa. Anëtarësimi i Shqipërisë për pak ditë me të drejta të plota në NATO, përkon me një jubile për vetë Aleancën, që mbush plot 60 vjeç nga krijimi i saj. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia, i cili pohoi se “kjo konferencë përkon me një moment të veçantë të jetës politike shqiptare, pasi pas disa ditësh Shqipëria do të hyjnë në Aleancën e Atlantikut”. D’Elia nënvizoi në fjalën e tij se “Shqipëria do të hyjë me meritat e veta në NATO, sepse vitet e fundit ajo është përfaqësuar si faktor stabiliteti dhe gjithmonë e më shumë është paraqitur si një faktor kontribuues në Ballkan”.
27 Mars 2009