E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramsh, tragjedia me 3 të vdekur, godina ishte tejet e amortizuar

GRAMSH- Altini, Dritani dhe Nazifi janë tre viktimat e radhës mes gërmadhave të godinave të shkatërruara, të amorizuara, të harruara prej vitesh nga shteti por jo nga vetë ata.

Për tre të rinjtë, pjesëtarë të familjeve të varfëra, ish magazinat e rezervave të shtetit në fshatin Bratilë të Komunës Kodovjat, 40 km larg Gramshit, ishin burim të ardhurash. Prandaj dhe mbrëmë ata ishin nisur drejt magazinave për të vjedhë hekurat e telat e soletave, për ti shitur më pas për skrap.

“Ish magazinat prej kohësh të braktisura, prej kohësh ishin bërë objekt për vjedhjen e hekurave dhe telave të soletave të cilat më pas shiteshin për skrap. Por ajo që ndodhi mbrëmë është një ndër tragjeditë më të mëdha, pasi në këtë zonë ka pasur tragjedi të tilla”- përshkruan ngjarjen gazetari i NEWS24 Fatmir Popja.
NGJARJA
Ka qenë ora 22. 30 minuta e mbrëmjes së të premtes ku policia është njoftuar nga kryeplaku i fshatit Bratilë, se disa persona të paidentifikuar po grabisnin hekur duke shkatërruar ish- magazinat e rezervave të shtetit të këtij fshati.
Me të mbërritur në vendngjarje policia ka konstatuar se pranë depos së ish-Rezervës së të shtetit qëndronte e parkuar një makinë Landlover me targa të huaja N7650 EC.
Duke kontrolluar kanë parë një ndërtesë tarraca e të cilës ishte shembur dhe poshtë saj ishin tre të rinjtë. Në fillim është gjetur trupi i Altin Elezit, 37 vjec, dhe i Nazif Bojës, 22 vjec, nga fshati Shtërmen i Elbasanit. Më pas është gjetur dhe trupi i Dritan Hoxholli 28 vjeç, nga Gramshi.

 TRUPAT 20 ORE POSHTE GERMADHAVE
Banorët kanë treguar se vetëm dy ditë më parë një kamion me hekur ishte nisur drejt Gramshit dhe ata do të mblidhnin pjesët e fundit të hekurit në këtë godinë të amortizuar. Tre të rinjtë kishin udhëtuar drejt fshatit Bratilë me landloverin e Dritanit.
Sipas banorëve të zonës mendohet se trupat kishin më se 20 orë që kishin të vdekur brenda godinës. “Teksa po nxirrnim trupat, gjetëm një sasi hekuri në dalje të godinës si dhe dy bombla, një me gaz dhe një me oksigjen, që shërbenin për të nxjerrë hekurin nga muret e godinës".– ka thënë, për atsh-në,shefi i shërbimit të zjarrëfikëses në rrethin e Gramshit, Armir Xhangolli. Sipas tij tre viktimat e kanë kuptuar që mund të ziheshin brenda në godinë dhe kanë tentuar të dalin, por shembja e tavanit ka qenë e menjëhershme dhe i ka zënë ato brenda. “Sipas mënyrës se si u gjetën tre trupat, mendohet se ata kanë tentuar të dalin, por nuk mundën dot".- rrëfeu Xhangolli.

TRAGJEDI E PARALAJMERUAR
Kjo nuk është hera e parë që në këtë zonë ndodhin tragjedi të tilla. Varfëria ekstreme detyron të burra, të rinj madje dhe fëmijë ti drejtohen godinave të braktisura për ti shembur e për ti marrë hekurin, i cili më pas shitet për skrap.
Në këto godina nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese nga autoritetet vendore për rrezik shembjeje. Në një prononcim për atsh-në, nëprefekti i Gramshit Shkëlqim Hoxha ka thënë se godina që dikur shërbente si rezervë e shtetit ku ruheshin misri dhe gruri, “prej më se 20 vjetësh kishte dalë jashtë funksionit, ishte tejet e amortizuar dhe për këtë qëllim prej vitesh nuk ruhej nga asnjë roje".

E ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur në detaje vdekjen, shkaqet kryesore të tragjedisë së radhës kanë qenë pakujdesia dhe amortizimi i godinës.
(BalkanWeb) Lidhje te tjera Ersekë, dy punëtorë humbin jetën në gurore VIDEO: Gramsh, tragjedia me 3 të vdekur, godina ishte tejet e amortizuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›