E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramshi e Poliçani, në shërbim të ‘Albademil’-it

Gazeta shqiptare shkruan sot se si Kompania Albademil” e Mihal Delijorgjit fitoi të drejtën për të demontuar municionet në Gërdec. Ja si u falsifikuan dokumentet për të favorizuar firmën e Mihal Delijorgjit 

Kompania “Alba demil” e Mihal Delijorgjit fitoi të drejtën për të demontuar municion në Gërdec, sepse Uzina Mekanike e Gramshit dhe Kombinati Mekanik i Poliçanit, pretenduan se ishin të paafta për ta realizuar këtë proces. Gazeta Shqiptare boton sot ne nje ratikull te saj se në fakt të dyja këto ndërmarrje shtetërore i kanë pasur të gjitha kapacitetet e duhura për ta kryer demontimin e municioneve. Por, drejtuesit e tyre, të nxitur nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, veçanërisht ish-ministri Fatmir Mediu dhe drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari kanë përpiluar raporte të rreme në mënyrë që demontimin ta kryente kompania e Delijorgjit. Gjithashtu, drejtuesit e Uzinës Mekanike të Gramshit dhe Kombinatit Mekanik të Poliçanit nga ana tjetër kanë lidhur kontrata zyrtare dhe informale me “Albademil”, për ta ndihmuar këtë të fundit, qoftë për furnizimin me municion luftarak, qoftë për ta ndihmuar në procesin e demontimit. Vlen të theksohet se, qoftë drejtori i Uzinës Mekanike të Gramshit, Fiqiret Mato ashtu edhe ai i Kombinatit Mekanik të Poliçanit, Kasëm Mahmutaj, janë respektivisht kryetar i Partisë Republikane për Gramshin dhe tjetri për Beratit. Ky detaj e bën edhe më të thjeshtë arsyen pse këta zyrtarë kanë shkelur ligjet e shtetit, duke preferuar t’iu binden urdhrave të jashtëligjshëm që dilnin nga zyra e Fatmir Mediut, në Ministrinë e Mbrojtjes.
Gramshi
Konkretisht, të dhënat e siguruara nga Prokuroria e Përgjithshme nxjerrin në dritë faktin se ish-drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani i ka kërkuar drejtorit të Uzinës Mekanike të Gramshit, Fiqiret Mato, “që në përgjigje të shkresës së Komisionit të Miratimit të Çmimeve, të përpilojë një përgjigje aty për aty, në të cilën të shprehej për pamundësinë e Uzinës Mekanike Gramsh për demontimin e municioneve të kalibrave nga 20 mm deri në 152 mm. Fiqiri Mato ka përpiluar më datë 15.11.2007, në një nga zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes, një shkresë ku paraqit të dhëna të rreme se Uzina Mekanike e Gramshit nuk mund të kryente demontimin e municioneve të kalibrave nga 20 mm deri 152 mm, ndonëse kjo uzinë kishte kapacitet, e me qëllim për krijimin e kushteve sa më favorizuese për shoqërinë ‘SAC’-‘Albademil’, në caktimin e çmimeve të këtyre municioneve”, - thuhet në konkluzionet e hetimit të Prokurorisë. Ndërkohë, në anën tjetër, Fiqiret Mato me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari është urdhëruar të lidhë një kontratë me kompaninë “ALBADEMIL”, për heqjen e lëndës plasëse dhe të unazave të bakrit, të predhave të kalibrit 100 mm, në sasinë prej 40.380 copë. Kontrata ka filluar më 25.02.2008 dhe gjatë muajit mars, kanë hyrë në uzinë nga firma e Delijorgjit, 14.100 copë predha 100 mm, të cilave ju është hequr lënda plasëse dhe unazat e bakrit deri më datë 27.03.2008.
Poliçani
Në dëshminë e dhënë në Prokurori, në lidhje me çështjen e Gërdecit, drejtori i Kombinatit Mekanik të Poliçanit, Kasem Mahmutaj, pretendon se, “dy javë përpara ngjarjes në fshatin Gërdec, kam biseduar gojarisht me ish-drejtorin e ndërmarrjes “MEICO”, ku ky i fundit duke u nisur nga kërkesat e vazhdueshme nga ana jonë për demontimin municioni, më ka thënë se ishte një sasi e konsiderueshme municioni dhe konkretisht predhash të kalibrit 152 mm, të cilave duhej t’u hiqej lënda plasëse”. Sipas Mahmutaj, “unë nuk kam pranuar, pasi praktikisht kam diskutuar me personelin e kombinatit dhe na rezultonte se si fillim ne nuk kishim pajisjet e nevojshme për nxjerrjen e lëndës plasëse, po ashtu ky proces ishte i vështirë dhe përveçse kërkonte financime të shumta, duke rritur koston e procesit, nuk kishte rendiment për kombinatin, kështu që unë e kam marrë përsëri në telefon ish-drejtorin, Ylli Pinari, duke i sqaruar se ky proces nuk mund të kryhej në ambientet e kombinatit të Poliçanit”. Por, në fakt rezulton krejt e kundërta, pasi kjo ndërmarrje shtetërore është vënë totalisht në shërbim të kompanisë “Albademil” të Mihal Delijorgjit. Prokuroria e Përgjithshme, gjatë hetimit të çështjes së ‘Gërdecit’ ka bërë hetime dhe ka këqyrur në datën 24 tetor 2008, të gjithë godinën e këtij kombinati, ku rezultoi se “në krahun e djathtë të kapanonit, në fund të tij ndodhen 30 arka me maja plumbi, të sjella nga Gërdeci. Këqyrja u shoqërua me fotografi dhe mbaroi në orën 15:30”.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›