E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramshi, një tjetër finale për tu fituar nga Lushnja

Nga Julian Kasapi

Nëse nuk marrin 3 pikë të plota në transfertën e nesërme, verdhejeshilët nuk mund të ngjiten direkt në superligë

Lushnja, ashtu si disa skuadra të tjera, është lodhur nga ngjeshja e kampionatit. Katër fitore në harkun kohor të dy javëve, pas barazimit në Elbasan, i kanë bërë djemtë e drejtuar nga trajneri Sajmir Malko të mos jenë në formën e tyre më të mirë, pasi ata janë sforcuar shumë.

Dhe ka një shkak: Lushnja luan futboll me të gjitha energjitë e saj, sepse ndryshe nuk mund të fitojë, ndërsa disa rivalë shkojnë për pushime në ndeshjet jashtë fushe dhe fitoret i kanë në  xhep. Shumë energji të harxhuara nga kampi lushnjar me qëllimin e vetëm për ta arritur objektivin e ngjitjes së superligë. Ky është një mision i vështirë, por jo i pamundur, nëse verdhejeshilët i fitojnë të gjitha ndeshjet deri në fund të kampionatit.

Këtu qëndron dhe vështirësia për stafin teknik dhe vetë futbollistët. Fitore të vuajtura, ku kjo e fundit me Ilirinë në shtëpi ka qenë kulmi i dëshirës dhe i forcave për të fituar ndaj një kundërshtari, që vërtet u paraqit shumë mirë dhe më i freskët. Lushnjarët janë dukur të drobitur nga ndeshjet e forta që kanë luajtur gjatë të gjithë fazës së dytë. Kanë luajtur fort në Kavajë, ku kanë fituar, kanë luajtur tri ditë më pas në Roza Haxhiu me Ilirinë dhe sërish kanë fituar.

E fortë dhe vendimtare është edhe ndeshja e nesërme në Gramsh, ku verdhejeshilët shkojnë për 3 pikë. Në fakt, kundërshtari nuk ka ndonjë interes të madh për kampionatin, sepse ndodhet në pozita komode në tabelë, në vend të 7-të, por lushnjarët nuk kanë pse të mendjnë se Gramshi do të lëshojë.

Këtë gjë nuk e ka bërë historikisht në fushën e tij, ku edhe sezonin e shkuar ka barazuar me lushnjarët. E vërteta është se Lushnja ka forca ti përballojë ndeshjet e forta, ashtu siç ka bërë dhe po bën në kampionat.

Gjendja Në ndeshjen me Ilirinë ka qenë në formë të shkëlqyer kapiteni Çela, i cili ka vrapuar si shumë vite më parë, por kanë vrapuar edhe dy sulmuesit Sefa dhe Canka, ku ky i fundit nuk mungoi në takimin me golin. Sefës, për fatin e tij të keq, ia mohoi golin mbrojtësi Shehu, duke e larguar topin në vijën fatale.

Megjithatë, ka edhe resurse të tjera, ku, sipas të gjitha gjasave, do të rikthehet në formacion këtë të diel mesfushori Byzhyti, i dëmtuar në ndeshjen me Lufëtarin. Futbollisti po stërvitet me grupin dhe po e merr veten ditë pas dite. Për trajnerin Malko dhe djemtë e tij, transferta e Gramshit është një tjetër finale për tu fituar, përndryshe, lamtumirë vend i dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›