E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strati: Luftëtari, detyrën edhe në Ersekë

Nga Sokrat Papadhopulli

Futbollisti vlonjat, Ermir Strati, beson se ekipi i tij do të tregojë vlerat më të mira edhe në fushën e Gramozit për të marrë 3 pikët

Titulli kampion i kategorisë së parë i detyron gjirokastritët të shkojnë për fitore edhe në Ersekë. Duke u nisur nga pozitat që Gramozi dhe Luftëtari mbajnë në tabelë, duket se fitorja e të dytit nuk do të jetë e vështirë, por në futboll asnjëherë nuk ka siguri dhe stafi teknik dhe futbollistët gjirokastritë janë përgatitur për të dhënë maksimumin.

Kundërshtari do të luftojë fort para tifozëve të tij, sepse kërkon qëndrimin në kategorinë e parë, por llogaritë e Luftëtarit janë vetëm për fitore, pasi Kukësi rival i ka 3 pikët të sigurta këtë javë. Në kampin gjirokastrit ka besim të madh se ekipi do të kthehet me fitore nga Erseka, ku pritet të luhet një ndeshje mjaft korrekte për vetë faktin se dy klubet kanë marrëdhënie shumë të mira. Kujtojmë që në disa raste Luftëtari e ka bërë fazën përgatitore të verës në Ersekë.

Strati Futbollistët e drejtuar nga trajneri Nevil Dede gëzojnë një formë shumë të mirë, që e demonstruan në fitoren 4-1 me Gramshin, ku Nora shënoi 3 gola dhe Strati 1. Ky i fundit, i ardhur në Gjirokastër gjatë merkatos së dimrit, shpreh bindjen për suksesin e radhës në fushën e Gramzit, ndërkohë që kërkon kujdes maksimal gjatë këtij 90-minutëshi, sepse kundërshtari nuk ka çfarë të humbasë dhe, me ndihmën e tifozëve të tij, do të mundohet ta ndalë Luftëtarin.

Vijmë pas një fitoreje të bukur në fushën tonë me Gramshin, ku ekipi tregoi vlerat e tij më të mira. Bëmë detyrën në atë ndeshje, ku, për fat të keq, në stadium munguan tifozët gjirokastritë. Megjithatë, Luftëtari ishte mjaft i motivuar dhe nuk i la asnjë mundësi kundërshtarit. Shënuam 4 gola dhe jam i kënaqur që rezultatin e zhbllokova unë. Tani kemi përpara transfertën me Gramozin, që ka vështirësitë e saj, sepse luhet në fushën e një ekipi që kërkon të mbijetojë.

Ne kemi objektivin tonë dhe nuk mund ti komplikojmë gjërat, kështu që në Ersekë do të luajmë për të fituar dhe për të qenë më të sigurt në objektivin për titullin kampion të kategorisë së parë. Kam bindjen se Luftëtari do të shfaqet si gjithmonë me mendësinë e fituesit dhe do të kthehet me 3 pikë nga kjo transfertë, tha mes të tjerash vlonjati Ermir Strati, i cili luan në rolin e organizatorit. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë me fanellën e Luftëtarit dhe ka shënuar 2 gola, duke ndikuar kështu sadopak në suksesin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›