FFK e bën Vëllaznimin lider

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës të premten ia ka dhuruar tri pikë në tavolinë Vëllaznimit. Në fakt, ky organ e ka aprovuar kërkesën e gjakovarëve që ndeshjen e tyre të xhiros së 24-të të Superligës ndaj Trepçës (0:0) ta regjistrojë me rezultat zyrtar 0:3 në favor të tyre.
“Komisioni i Garave konstatoi se Trepça e ka aktivizuar Jetmir Behramin, i cili nuk ka figuruar fare në protokollin e përpiluar para ndeshjes, gjë që kemi shkelje në aspektin formal – proceduralo-juridik. Ndeshja regjistrohet më rezultatin zyrtar 0-3 në të mirë të Vëllaznimit”, thuhet në një njoftim për media të lëshuar nga FFK-ja.
Me këto tri pikë, Vëllaznimi ngjitet në krye të tabelës së klasifikimit me 46 pikë, një më shumë sesa Prishtina, derisa Trepça fundoset në vendin e dhjetë me 26 pikë dhe i vështirësohen gjasat për të mbijetuar.
“Si është e mundur që ndeshja e ndërprerë gati 20 minuta, ku është sulmuar gjyqtari e portieri i ekipit mysafir, të regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, kurse ndeshja jonë shumë e qetë të regjistrohet me rezultat zyrtar, shkaku kinse i një gabimi të vogël teknik. Do të ankohemi ndaj këtij vendimi të papranueshëm për ne”, theksoi sekretari i Xehetarëve, Hajrullah Haxhiu.
Në dallim prej Vëllaznimit, Komisioni i Garave nuk e ka aprovuar kërkesën e Hysit që dueli i tij i tensionuar me Gjilanin (1:1) të regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3 në favor të tij.
“Komisioni i Garave ka konstatuar se ndeshja ka qenë e tensionuar dhe vjen deri te ndalja e lojës mbi 15 minuta. Pas konsultimeve të gjyqtarëve dhe vëzhguesit, është marrë vendim që ndeshja të vazhdohet duke pas parasysh se kanë arritur forcat shtesë të Policisë dhe për mos me ardhur te ndonjë ekses më i rëndë, për çka janë njoftuar dy kapitenët për vazhdimin e ndeshjes”, thuhet në arsyetimin e këtij organi.
Ky vendim i kanë zhgënjyer edhe bardhezinjtë. “Ndeshja ka qenë e ndërprerë, por gjyqtarët e kanë vazhduar sa për ta shpëtuar kokën shkaku i presionit, andaj pikët na takojnë neve dhe do të ankohemi sërish”, tha zyrtari i lartë i Hysit, Bashkim Sadiku.