E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të huajt, rritet interesi për troje

Investitorët janë të ardhur nga Britania e Madhe, Spanja, por edhe nga Rusia, Serbia, Arabia Saudite. Vëmendjen e tyre e kanë tërhequr apartamentet në Farkë apo Kashar, si dhe troje përreth aeroportit të Rinasit ose në Gjirin e Lalzit. 

TIRANE- Në një kohë kur diskutohet siguria e depozitave bankare në gjithë botën, në vendin tonë po vihet re një vëmendje më e madhe e të huajve për blerje të patundshmesh. Sipas burimeve nga agjencitë imobiliare, aktualisht vëmendjen e tyre e kanë tërhequr apartamentet në Farkë apo Kashar, si dhe troje përreth aeroportit të Rinasit ose në Gjirin e Lalzit. Investitorët janë të ardhur nga Britania e Madhe, Spanja, por edhe nga Rusia, Serbia, Arabia Saudite, etj. Në kushtet kur ende pasiguria ka pushtuar sistemin bankar, duke filluar nga qendra botërore, ekonomia amerikane, duket se investitorët e mendojnë me më pak risk blerjen e trojeve e objekteve të patundshme në Shqipëri, për t'i shitur më pas, ose për t'i përdorur për investime në një moment më të favorshëm të ciklit të zhvillimit ekonomik botëror. Megjithatë, ecejaket e tyre në bregun e Rivierës së Jugut, deri tani, theksojnë imobiliarët, janë frenuar për shkak të mungesës së vazhdueshme të një plani përfundimtar, që të përcaktojë zonat ku mund të ndërtohet dhe ku jo. Shqipëria është vendi më i lirë në rajon dhe çmimet pritet të vazhdojnë të rriten, thekson një nga operatorët e sektorit të të patundshmeve. Sipas vlerësimeve të një agjencie me kapital të përbashkët, çmimet e trojeve pranë zonës së aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit janë në nivelin 50-60 euro/m2. Ndërkohë, zona pranë aeroportit ndërkombëtar të Sofjes, në Bullgari, ka një kosto sa 10-fishi i kësaj: afro 500 euro për metër katror.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›