E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grandi grek,afera e fundit e Klosit

08/06/2005  Asnjë konkurrim i hapur publik ndërmjet studiove private për ndërtimin e teatrit të ri në odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës; Ministria e Kulturës dështon në vizionin e kësaj qendre, duke i besuar papritur studios private “Engima K” grandin grek prej 2 milionë e 500 mijë euro, që mbahej i ngrirë prej vitit ’98, kur ministër Kulture ishte Edi Rama

Cik më cik, gjithë protokolli i ngrirë i grandit grek përmban 2.5 mijë euro. Ky grand prej ’98-ës ka mbetur pezull në qeverinë shqiptare, e cila çdo vit e ka ekspozuar si fond, bashkangjitur me buxhetin e kulturës. Nganjëherë duke e paraqitur dhe si “shtesë në paratë e kulturës”.

Loja ngriva-shkriva duket se ka mbaruar një ditë më parë, kur papritur studios private “Engima K” i besohet projekti i teatrit të ri në odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, të njohur me emrin Piramida. Planimetria mban emrin e arkitektit të preferuar të kohës së diktaturës, Klement Kolonecit, njëkohësisht dhe pronar i studios që “fitoi” projektin për teatrin e ri.

Beteja për të ngulur godinën e re të teatrit, duket se ka vite që përpunohet. Kjo vjen pasi janë prishur shtatë vite më parë ëndrrat e ish-ministrit të Kulturës, Edi Rama, për të ndërtuar teatrin e ri në qendrën që është sot Teatri Kombëtar.

Ka qenë greva e artistëve që tërhoqi mbrapsht Ramën dhe që e detyroi ish-kryeministrin e atëhershëm, Pandeli Majko, të mos lëshonte pe me paratë e “dhuruara” nga grekët. Thuhet se dosja e projektit të atëhershëm kishte për arkitekt, pikërisht dhe emrin e Kolonecit.

Por me ardhjen e Blendi Klosit në krye të ministrisë dhe, sidomos me pasjen afër të këshilltarit të tij, Arben Kumbaros, arsyet për t’iu rikthyer grandit grek ka qenë më e fortë. Deri në këtë kohë asnjë nga ministrat e mëparshëm nuk kishin “kompetencat” për ta shfrytëzuar grandin grek, ose për t’i vënë syrin ndonjë cope vendi të përshtatshëm, që mund të kishte tepruar nga godinat e kulturës qark qendrës së Tiranës.

Pra, ka më shumë se një vit që këshilltari i ministrit së bashku me ministrin Klosi, bëjnë përpjekje për t’ia prishur mendjen përfaqësuesve zyrtarë grekë, që lekët të “shkriheshin”. Para disa muajve, nga bisedat më të fundit kokë më kokë të Kumbaros me zyrtarë grekë, nuk u arrit asnjë përfundim. E vetmja këmbëngulje e grekëve ka qenë paraqitja e projektit të teatrit nga pala shqiptare. Në atë kohë, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kiço Londo, u pat shprehur se nuk kishte dijeni për këtë grand dhe as që interesohej që të lëvrohej në Teatër. Ndërsa, Kumbaro, fill pas paraqitjes së buxhetit, vjet më 2004-ën, tha se është në tratativa për ta bërë ekzistent këtë buxhet për teatrin. Siç duket në kokën e tij përfytyrohej një teatër i ri, duke fërkuar duart për 2.5 mijë eurot.

Derisa një ditë më parë u bë realitet. Asnjë konkurrim publik, as tender dhe asnjë projekt sfidues nuk u paraqit karshi studios private “Engima K”.

I vetmi justifikim që u arrit të thuhej ishte se arkitekti më në zë, Klement Koloneci, ka qenë projektuesi i dikurshëm i Piramidës së famshme, ish-muzeut të diktatorit Enver Hoxha, ndaj dhe i takonte aforfe që të hidhte sipas ideve të tij dhe shtatin e teatrit të ri.

Në këtë prag zgjedhjesh është e dukshme se postet e larta politike po shfrytëzojnë sekondat e fundit për të marrë dhe pëllëmbët e mbetura nga godinat shtetërore, duke menduar për trashëgimtarët!

Përpos kësaj, i gjithë grandi grek është i argumentuar. Kostoja prej 2 milionë e 500 mijë euro përfshin jo vetëm investimin për teatrin dhe pajisjet e saj, por një pjesë e këtij fondi, sipas informacionit, do të shfrytëzohet dhe për restaurimin e godinës, që është dëmtuar në pjesë të ndryshme, qoftë në xhama a pllaka. Ndërkohë që kjo shumë do të mjaftonte për të ngritur në këmbë një godinë të re nga e para, me mur e me tulla. Kështu thonin para ca viteve specialistët, kur shtrohej debati i mosshembjes së Teatrit Kombëtar.

Projektin thonë se e ka parë e studiuar Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, (hallkë e re e ngritur për projektet e restaurimit të monumenteve të kulturës), e cila ka kryetar ministrin Klosi. Askush nuk mund të kuptojë lidhjen e këtij projekti me KKR-në, vetëm në rast se Piramida është shpallur në sekret monument kulture dhe askush nuk e di këtë fakt!

Kjo nismë thuhet, madje, se është mendim direkt i ministrit të Kulturës, mbështetur nga stafi e specialistë të tij, që pa asnjë lloj njohje e kanë quajtur këtë ide si më të rëndësishmin në rajon?! Këtë “mburrje” e hodhi poshtë vetë arkitekti Koloneci, që ka kthyer përgjigjen në media, se nuk mund ta pohojë diçka të tillë.

Nuk dihet se çfarë kushtesh mund të kenë vënë përfaqësuesit grekë, që hezituan gjithë këto vite për t’i dhënë “OK” qeverisë shqiptare për grandin e dhuruar. Porse projekti i teatrit shihet qartë që është stimuluar nga frika e ikjes së pushtetit, kur në prag të zgjedhjeve Klosi nxiton të bëjë dhe aferat e fundit si ministër Kulture.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›