E Hënë, 2 Nëntor 2026

Universiteti i Tetovës: "Dr.Honoris Causa" për Ismail Kadarenë

08/06/2005  Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë nderon sot shkrimtarin Ismail Kadare me çmimin ‘Doctor Honoris Causa”. Ky vlerësim u bëhet personaliteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, vepra jetësore e të cilëve i kalon kufijtë nacionalë e shtetërorë.

Ndërsa sot, në orën 11.00, në mjediset e Universitetit organizohet një ceremoni madhështore, ku nderimi i shkrimtarit do të shoqërohet dhe me festën e emërimit të studentëve të parë të diplomuar në UEJL.

Botuesi ekskluziv i shkrimtarit, Bujar Hudhri, bën të ditur se Ismail Kadareja do të jetë i pranishëm në marrjen e këtij çmimi, që vjen fill pas nderimit të lartë që iu bë në Britani. Autoritetet e këtij universiteti janë shprehur për Radio-Televizionin e Tetovës se, “ardhja e shkrimtarit Ismail Kadare dhe emërimi i studentëve të parë të diplomuar në UEJL, do të jenë dy nga ngjarjet më të rëndësishme në këtë institucion”. Në pranverë të vitit 2000, Komisioneri i lartë i OSBE-së për pakicat nacionale, ka iniciuar diskutimet për themelimin e një universiteti të ri në Republikën e Maqedonisë, duke u përkrahur nga donatorë ndërkombëtarë. Pas miratimit të Ligjit për Arsim të Lartë nga Parlamenti i Maqedonisë, i cili lejoi krijimin e universiteteve nga themelues që nuk kanë të bëjnë me shtetin dhe, i cili përkrahu mësimin në gjuhën shqipe, filloi planifikimi i krijimit të universitetit në fund të vitit 2000. Ndërtimi filloi në mars të vitit 2001 dhe Universiteti i Evropës Juglindore (EJL) u hap gjashtë muaj më vonë.

Universiteti është një institucion unik me pesë fakultete: Fakulteti juridik, Fakulteti i administrimit të biznesit, Fakulteti i administratës publike, Fakulteti i shkencave dhe teknologjive të komunikimit dhe Fakultetin e Trajnimit të Arsimtarëve. Universiteti gjithashtu ka edhe dy njësi të tjera akademike, Shkollën e lartë të Gjuhës Angleze dhe Shkollën e lartë të Teknologjive të Informacionit (Informatikës).

Universiteti i EJL-së, luan rol udhëheqës në zhvillimin e arsimit të lartë modern në vendin tonë dhe në Ballkanin Jugor. Ky është universiteti i parë në Republikën e Maqedonisë, ku ligjërohen lëndë kryesisht në gjuhën shqipe. Sidoqoftë ka një politikë të përdorimit fleksibël të gjuhëve, e pajisur gjithashtu edhe me lëndë në gjuhën maqedonase. Ndërsa për shkrimtarin Kadare ky është çmimi i dytë që merr nga universitetet fqinje. Dy vite më parë, shkrimtari Ismail Kadare ka marrë titullin e lartë "Dr.Honoris Cauza" dhe nga Universiteti i Prishtinës, ku me këtë rast ai është shprehur se, "kjo është epoka e pajtimit. Në Ballkan po fryn një erë e re, të cilën ne që jemi në ekran mbase nuk e shohim. Kjo është epoka e afrimit të popujve të Ballkanit dhe kështu gadishulli ynë do të tërhiqet nga një qendër problematike për shkak të një keqkuptimi". Kjo është hera e tretë që Universiteti i Prishtinës ndan këtë titull, ndërsa hera e parë që këtë e bën për një personalitet shqiptar me përmasa ndërkombëtare. Këtë titull, universiteti më parë ua ka ndarë ish-kryeadministratorit të Kosovës, dr.Bernard Kushner dhe ish-presidentit të SHBA-së, Bill Klinton. Ndërsa, Universiteti shqiptar, dikur “Enver Hoxha”, ende nuk i ka shkuar në mend që të nderojë shkrimtarin, kur me këtë çmim është nderuar dhe përkthyesi i Dritëro Agollit, për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Përgatiti: V.M

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›