E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grant "shënjestron" Kaka dhe Mesin

Trajneri i Çelsit, Avram Grant, ka pohuar se dëshiron që të afrojë Kaka dhe Lionel Mesin në "Stemford Brixh". Deri më tani dihej se drejtuesi i stolit të bluve do të kishte në dispozicion shumë para për të shpenzuar në merkaton e verës, por tashmë ai ka bërë publik edhe emrat që synon të ketë në skuadër. Fantazisti i Milanit, Kaka aktualisht mban titullin si "Lojtari i Vitit", ndërsa argjentinasi i talentuar, Mesi, është shndërruar në lojtarin më të dashur në "Kamp Nou", pasi ka treguar kualitet të jashtëzakonshëm me Barcelonën. Deri më tani, Grant nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen në ambientet e Çelsit (qoftë nga futbollistët ashtu edhe nga tifozët), pasi izraeliti duket shumë larg standardeve të Hoze Murinjos. Shpresa e vetme për të triumfuar gjatë këtij sezoni duket Liga e Kampioneve, në një kohë kur po afrohet sfida gjysmëfinale me rivalët në Premiership, Liverpulin. Për "Daily Star", ai deklaroi: "Duhet të bëjmë diçka. Objektivi i Çelsit është që të jetë një konkurrente më e fortë dhe është e natyrshme që më nevojiten futbollistë të klasit botëror, të cilët do të na ndihmojnë të realizojmë këtë ambicie. A do të na ndihmonte një lojtar me klasin e Kaka apo të Mesit? Nuk e hedh poshtë mundësinë se njëri prej këtyre lojtarëve do të luajë me ne. Nëse ata dëshirojnë të vijnë? Po, kështu mendoj. Ky është një klub i madh". Blerjet më të fundit të londinezëve nuk mund të cilësohen plotësisht të suksesshme. Kapiteni i kombëtares gjermane, Mikael Balak, ka vuajtur që të ingranohet në skuadër që prej transferimit të tij nga Bajerni i Mynihut në maj të vitit 2006. Gjithashtu, edhe Andrij Shevçenko ka qenë një zhgënjim total, që prej kalimit nga Milani gjatë merkatos së verës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lojtarin e kombëtares franceze, Florent Maluda: 13 milionë sterlinat e paguara në arkat e Lionit nuk duken shpenzim i studiuar mirë, pasi mesfushori nuk ka arritur të sigurojë një fanellë titullari në "Stemford Brixh". Grant bëri të ditur se fillimisht do të studiojë me kujdes stilin e lojës së një lojtari kandidat për t‘u bërë pjesë e skuadrës dhe më pas do të vendosë nëse do të investojë apo jo. Objektivi është që Çelsi të ndryshojë stilin e lojës (shumë mbrojtëse). Më tej, trajneri shtoi: "Liga e Kampioneve mund të fitohet vetëm nga një skuadër. Po ashtu, edhe kampione e Anglisë mund të shpallet vetëm një skuadër. Në merkato, gjëja më e rëndësishme nuk është se sa futbollistë je në gjendje të afrosh, gara është cilët lojtarë mund të sjellësh. Synimi është që të krijojmë një tjetër stil loje. Nëse një lojtar i caktuar arrin të na sigurojë një futboll ndryshe, atëherë ai është njeriu i duhur për ne. Natyrisht që unë kam bërë projektet e mia. Së bashku me drejtuesit e klubit po diskutojmë rreth projekteve afatshkurtra dhe atyre afatgjata".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›