Luis Hemilton ka mësuar nga gabimet e bëra
Gjatë pauzës në testet e Barcelonës, Luis Hemilton ka analizuar fillimin e këtij sezoni, me një paraqitje që sigurisht është shumë larg prej asaj që pritej. Pas fitores në Çmimin e Madh të Australisë, piloti britanik i MekLarenit ka "koleksionuar" vetëm një vend të pestë në Malajzi dhe një të 13-të në Bahrein, ku në këtë të fundit paraqitja ka qenë nga më të këqijat. "E fillova shumë mirë kampionatin, por dy garat pasardhëse nuk shkuan ashtu si shpresoja. Mund të them se në garat dy dhe tre isha pak pa fat, por kjo nuk më ka demoralizuar, pasi garat kështu janë", deklaroi 23-vjeçari. Por, piloti i parë i skuadrës anglo-gjermane i ka mendimet të qarta dhe ai theksoi se "kampionati është ende i gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë, si në sezonin e kaluar kur Kimi Raikonen ka qenë gjatë gjithë kohës ndjekës, megjithatë në fund fitoi titullin. Momentalisht, mund të them se kemi një paketë të mirë dhe po punojmë shumë që ta përmirësojmë". Hemilton theksoi se ka nxjerrë mësime nga gabimet që ka bërë në Bahrein: "Mësova nga gabimet e mia dhe besoj se deri në fund të kampionatit do të jemi në garë për fitimin e dy titujve, atij për pilotë dhe për konstruktorë. Vitin e kaluar arrita të ngjitesha nëntë herë në podium në nëntë garat e mia të para, por në fund të sezonit nuk u paraqita edhe aq mirë. Besoj se tashmë i kam kaluar garat më të këqija, kjo është arsyeja përse shpresoj që deri në fund të sezonit situata të shkojë drejt përmirësimit. Në Bahrein kam mësuar se nëse gjërat nuk ecin mirë në fillim të garës, duhet të minimizoj dëmet. Në atë rast tentova të rikuperoja menjëherë dhe t‘u afrohesha sa më shpejt kryesuesve, bëra një gabim shumë të madh". Për të mos u shkëputur nga Raikonen, Hemilton duhet të kthehet te fitorja që prej garës së ardhshme, në Barcelonë. "Edhe pse nuk jemi në nivelet e Ferrarit, kemi një makinë të fortë. Megjithatë, e theksoj se MekLareni është i shpejtë dhe do të përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum. Diferenca nga rivalët tanë kryesorë nuk është e madhe".