E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë: “Duam 42 vende në Kuvend”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Femrat politikane duan të rriten numri i përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkesa për përfshirjen e femrave në masën 30 për qind në gjitha strukturat drejtuese, por dhe në Parlament, është zyrtarizuar nëpërmjet një drafti të përgatitur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim dhe me UNIFEM, Organizata e OKB-së për Barazinë Gjinore. Ky draft tashmë do të dorëzohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore me synimin që të bëhet pjesë e tij. Deputetja demokrate Lajla Përnaska sqaron se përfshirja e këtij drafti brenda Kodit Zgjedhor e bën atë detyrues për çdo subjekt politik. Madje, ajo pohon se në draft parashikohen dhe sanksione për ata që nuk e zbatojnë këtë pikë. “Brenda kodit është e domosdoshme që të përfshihet kuota që ai të zbatohet nga të gjitha subjektet politike dhe rekomandon dhe masa të tjera dhe me përfshirjen e minimumit 30 % në të gjitha strukturat e procesit zgjedhor. Janë të gjithë faktorë që janë të rëndësishëm në stadin në të cilin ndodhet zhvillimi i brendshëm për të arritur standardet e BE. Nga 5 standarde ne kemi përmbushur 4, ky është i 5-ti”, - sqaron ajo. Në draft është caktuar dhe formula e llogaritjes së kuotave duke parashikuar 3 femra në çdo 10 kandidatë, pra 42 femra nga 140 vendet që ka Kuvendi ynë.
Drafti
Drafti i përgatitur tashmë bazohet në nenin 18 të Kushtetutës së Shqipërisë ku afirmohet hapur jo vetëm ndalimi e diskriminimi për shkaqe të tilla si gjinia, por edhe kushtetutshmërinë e masave diskriminuese nëse ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive. Sipas draftit, e drejta e zgjedhjeve, e parashikuar në nenin 45 të Kushtetutës, përfshin të drejtën e çdo shtetasi që të zgjedhë e të zgjidhet. Nuk ka dallime për shkak të gjinisë. Subjektet e së drejtës për të zgjedhur e për t u zgjedhur janë të barabartë, me përjashtim të të dënuarve që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, të cilët kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur. “Sistemi zgjedhor është parashikuar nga Ligji Nr. 9904, datë 21.4.2008, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Sipas këtij ligji për rishikimin e Kushtetutës, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial të Shqipërisë. Ndryshimet e reja në sistemin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë (nga një sistem i përzier proporcional-mazhoritar në një sistem vetëm proporcional) kanë rritur shanset që kuotat e mundshme elektorale të parashikuara në legjislacion, jo vetëm të bëhen të mundura, por të jenë edhe të suksesshme”, - thuhet më tej në draft. Ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri”, i cili ka hyrë në fuqi këtë vit, për herë të parë vendosi kuotën zgjedhore sipas standardeve të vendosura nga shumë vende evropiane në Ballkan dhe në vendet anëtare të BE-së. Kuota e parashikuar nga ligji i ri “Për barazinë gjinore në shoqëri” është prezantuar si kuotë gjinore që parashikon një minimum të përfaqësimit të secilës gjini në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe juridike, si dhe në institucione të tjera publike, duke përfshirë edhe organet ekzekutive. Ligji i ri i konsideron partitë politike si subjektet më të rëndësishme për realizimin e përfaqësimit mbi bazën e kuotave, dhe si pasojë u referohet në mënyrë specifike partive që të përcaktojnë mënyrat dhe masat për të përmbushur kërkesat e parashikuara në ligj. “Ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri” ka vendosur kuotën zgjedhore për Trupin e zgjedhur legjislativ, sipas së cilës, asnjëra prej gjinive nuk mund të përfaqësohet më pak se “mbi 30%”. Kjo masë do të garantohet nga përfshirja në listat e kandidatëve të paraqitura nga partitë politike për sistemin proporcional për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga jo më pak se 30 për qind e secilës gjini. Kuota vendore. Detyrimi për të arritur një përfaqësim të çdonjërës prej gjinive nga jo më pak se mbi 30%, parashikohet edhe në nivelin vendor. Kjo do të realizohet përmes detyrimit ligjor, sipas të cilit, në listën e kandidatëve për zgjedhjet në organet përfaqësuese vendore, duhet të sigurohet përfshirja mbi 30 për qind e secilës gjini”, - sqarohet në draft. Ky dokument është bazuar në eksperiencat e legjislacionit dhe të praktikave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duket qartë se, nga 22 shtete anëtare, 19 prej tyre kanë vendosur kuota, objektiva ose masa të tjera me karakter politik.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›