Meta bën gati vizitën në Beograd: Trafiku i organeve, pa baza
Pak ditë para vizitës që do të kryejë në Beograd, kreu i diplomacisë shqiptare u prononcua në lidhje me pretendimet e palës serbe për trafikun e organeve në Shqipëri gjatë periudhës së luftës së Kosovës. “Përfitoj nga pyetja juaj për të rikujtuar se lidhur me këtë çështje, qeveria e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë dhe pa asnjë rezervë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me grupin e posaçëm hetimor që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003, pikërisht për të hetuar këto pretendime, të cilat rezultuan të pavërteta”, u shpreh Meta. Numri dy i qeverisë shqiptare, njëkohësisht kreu i diplomacisë, tha se megjithatë, dëshiroj të ritheksoj gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Europës, në mënyrë që t’i jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve, që do t’i cilësoja si të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore. “Qeveria e Shqipërisë është e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla”, u shpreh Meta. Burimet nga Ministria e Jashtme thonë se Meta pritet të udhëtojë brenda kësaj jave drejt Beogradit për të realizuar vizitën e tij zyrtare. Ky veprim i paralajmëruar më parë ka sjellë edhe reagimin e shumë faktorëve, të cilët mendojnë se nuk duhen pasur prioritet marrëdhëniet me Serbinë në momentin kur ajo insiston për mosnjohjen e Kosovës.
#