E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë e burgut, mjekët i trajtojnë si të dënuara dhe jo si paciente

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Statistikat tregojnë se edhe Shqipëria ka një përqindje të përafërt evropiane për sa u përket grave të burgosura. Gjatë një anketimi të kryer nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, u intervistuan 80 gra të burgosura (42 gra të dënuara dhe 38 gra në paraburgim). “Midis numrit relativisht të vogël të grave që vuajnë dënimin ka një numër të madh historish dhe eksperiencash jetësore. Serioziteti i krimeve të tyre dhe i sjelljeve të tyre mund të kuptohet vetëm në kontekstin e shumë nevojave të tyre”, - thuhet në studimin e Qendrës së Gruas. Lidhur me kujdesin shëndetësor, por edhe me çështje të tjera, gratë shprehin pakënaqësi të theksuara. Në raport thuhet se shumë gra trajtohen nga mjekët si të dënuara dhe jo si paciente. “Shërbimi i psikologut, punonjësit social, psikiatrit duhet të orientohet drejt trajtimit të eksperiencave të kaluara që mund të kenë të bëjnë me abuzime seksuale dhe dhunë fizike në shumicën e rasteve”, - thuhet në raport. Abuzimi fizik dhe seksual ka qenë pjesë e historisë jetësore të shumicës së grave të dënuara. Në të gjithë popullatën, 80 % e grave të intervistuara thanë që kanë qenë të abuzuara, 70 % e tyre flasin për abuzime fizike dhe 30 % për abuzime seksuale. Ndërsa 2/3 e grave që raportuan për abuzim kanë nevojë për këshillim individual.
Trajnimet
Trajnimet profesionale dhe programet edukative janë shumë të rëndësishme për gratë e dënuara. Shumica e tyre kanë mbaruar arsimin 8-vjeçar dhe nuk kanë asnjë trajnim ose kualifikim profesional. Shumë pak prej grave (të moshuarat dhe ato që janë në prag të lirimit) nuk donin kualifikime. Shumica u shpreh për shprehi që i kërkon tregu i punës si mirëmbajtje të zyrave, kompjuter, punime dore, rrobaqepësi, kuzhinë, etj. Shumë gra thanë se dëshironin edhe të studionin sidomos shkenca socilae, zhvillim të fëmijëve etj., për të ndihmuar të tjerë.
Kërkesat
Gratë nënvizuan gjithashtu se dëshironin të kualifikoheshin për të fituar njohuri të caktuara dhe të kërkuara nga tregu si dhe të merrnin certifikata që vërtetonin fitimin e këtyre trajnimeve, por të njohura nga Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale. Të gjitha gratë gjatë anketimit të bërë kërkojnë punë më të mirë dhe programe rikrijimi, shërbim shëndetësor më të mirë, kontakte më të shpeshta me familjet e tyre dhe më shumë mbështetje për të përballuar çështje që lidhen me abuzimin.
Lirimi parakohe me kusht
Në rastet e grave të dënuara nuk janë dhënë leje shpërblyese, të zakonshme, lirim parakohe me kusht. Gjykatat dhe administrata e burgjeve hezitojnë duke i dhënë gruas në këtë mënyrë minimumin e fitimeve të tilla për të mos thënë fare.
Strehimi
Mungesa e strehimit për shtresa me nivel të ulët ekonomik është një problem social për të gjithë vendin. Në këtë kuadër futen edhe gratë, të cilat vijnë pas një dënimi. Të gjitha nënvizojnë si një nga problemet e tyre më të mëdha strehimin pas vuajtjes së dënimit. Një nga zgjidhjet që raportohet në studimin e Aleancës Gjinore për Zhvillim është mundësia për një strehë (ndërtesë) e cila të shërbejë për gratë, të cilat për arsye të moshës, veprës së kryer etj e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë për të paguar strehimin. Një grua e intervistuar tha se kishte ndërruar 5 shtëpi në 6 muaj sepse nuk mund të paguante qiranë.
Punësimi
Në përgjithësi gratë që kanë punuar para se të dënoheshin arrijnë të gjejnë punë, ndërsa në përgjithësi gratë e dënuara që nuk kanë punuar para se të vinin në burg nuk punësohen. Ka gra për të cilat është e pamundur të përfitojnë në tregun e punës dhe kanë nevojë për trajnime specifike. Duke qenë se nuk funksionojnë planet e përgatitjes për lirim dhe mundësitë për të provuar veten jashtë mureve të burgut gjatë pjesës së fundit të dënimit, është shumë e vështirë për gratë që kur lirohen të gjejnë një punë të paguar mirë. “Mundësitë që duhet të krijohen duhet të jenë në drejtim të formimit profesional të standardizuar që do të thotë formim që mund të kryhet brenda ose jashtë burgut, por nga specialistë që vijnë nga shkolla, kolegje, qendra të licencuara për të bërë kualifikim profesional në mënyrë që gruaja të mund të vazhdojë formimin nëse nuk e përfundon atë gjatë vuajtjes së dënimit”, - thuhet në raportin e përgatitur nga Aleanca Gjinore për Zhvillim (ish-Qendra e Gruas).

Familjarët dërgojnë ushqim në burg
Familjarët u dërgojnë ushqime të dënuarve në Spitalin e Burgut, te QSUT-ja. Të burgosurve u është mohuar liria, por jo e drejta për të jetuar. Familjarë të shumtë, të mbledhur pranë derës së Spitalit të Burgut, pranë QSUT-së, shprehen të pakënaqur për kushtet e burgjeve, ku janë të dënuar fëmijët e tyre. Shumë prej tyre thonë se janë të detyruar të blejnë ilaçe, ushqime, si dhe një sërë produktesh të tjera. “Deri tani kam shpenzime mbi 2 mijë lekë për t i blerë ilaçe djalit tim, që është i shtruar në Spitalin e Burgut”, - thotë M.Tusha. Para Spitalit të Burgut, familjarët presin me çanta të mbushura me ushqime. Në bazë të Nenit 5, të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, asnjeri nuk duhet t i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër jonjerëzor ose poshtërues. Por, pavarësisht kësaj kjo nuk do të thotë që në burg nuk gatuhet. “Kam mbi tre vjet që punoj në burgje dhe kudo ku kam qenë kushtet janë shumë të mira. Ushqimi është special, për mendimin tim. Të gjithë ata që ankohen flasin kot”, - thotë T. M, kuzhiniere. Sipas familjarëve, kushtet e qelive lënë për të dëshiruar. “Djali im është i dënuar në Burgun e Rrogozhinës. Kushtet në burg nuk janë të mira. Aty nuk ka krevate, ai është i detyruar të flejë në disa dërrasa që i quajnë krevate”, - thotë e shqetësuar A. Sena, nëna e një të burgosuri. Nga ana tjetër shumë familjarë, të cilët gjenden përpara derës së Spitalit të Burgut, ankohen për mungesën e ushqimit në burgje. Vetë këta të fundit janë të detyruar t u çojnë të afërmve të tyre, që vuajnë dënimin në burg, ushqime, batanije, çarçafë, madje edhe ilaçe.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›